Kosova
Picula: Pezullimi i fondeve të BE-së për Serbinë, mesazhi i vetëm që regjimi i Vuçiçit i frikësohet
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se pezullimi i mundshëm i fondeve nga Bashkimi Evropian është mjeti më efektiv për të ushtruar presion ndaj autoriteteve në Beograd.
Në një reagim në rrjetin social X, Picula theksoi se përkeqësimi i situatës demokratike në Serbi kërkon ndryshim të qasjes së BE-së.
Sipas tij, pezullimi i fondeve të kushtëzuara të BE-së mbetet “mesazhi i vetëm” që regjimi i Aleksandar Vuçiq e merr seriozisht.
Deklaratat e Piculës kanë nxitur reagimin e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq.
Në një postim në X, Brnabiq akuzoi Piculën se po kërkon ndërprerjen e fondeve që, sipas saj, shkojnë për projekte jetike për qytetarët.
Portali evropian Politiko publikoi informacion se Serbia përballet me mundësinë e humbjes së deri në 1.5 miliardë eurove nga fondet e BE-së dhe se Komisioni Evropian po shqyrton ndërprerjen e tyre për shkak të regresit demokratik dhe lidhjeve të ngushta të vendit me Rusinë.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Evropian është ende duke vlerësuar nëse Serbia i plotëson kushtet për “pagesa sipas instrumenteve financiare të BE-së”.