Bota
Biznes dhe luftë/ Trump: Ne dhe Irani do bashkëpunojnë për nxjerrjen dhe transportimin e uraniumit
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar në një intervistë për Reuters se Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Iranin për të rikuperuar uraniumin e pasuruar dhe për ta sjellë atë në SHBA.
Ai ka shtuar se bëhet fjalë për atë që e quajti “pluhur bërthamor”, duke theksuar se materiali do të rikuperohet “shumë shpejt.
Trump iu referua edhe sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor të vitit të kaluar, duke thënë se mbetjet e atyre goditjeve janë pjesë e procesit të rikuperimit.
Sipas tij, Irani zotëron mbi 900 paund uranium të pasuruar deri në 60%, ndërsa çështja e programit bërthamor mbetet një nga pikat më të ndjeshme në negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Presidenti amerikan theksoi se një nga arsyet kryesore të konfliktit ishte parandalimi i Iranit nga ndërtimi i armës bërthamore, ndërsa shtoi se SHBA do të vazhdojë bllokadën detare ndaj Iranit derisa të arrihet një marrëveshje.
“Besoj se marrëveshja do të ecë shumë shpejt. Po shkojmë shumë mirë me Iranin”, tha Trump, duke shtuar se raunde të reja bisedimesh mund të zhvillohen gjatë fundjavës.
Ai gjithashtu deklaroi se mund të vizitojë Islamabadin pas arritjes së një marrëveshjeje, por se ende nuk ka marrë një vendim.
Trump mohoi gjithashtu raportimet se po diskutohej një marrëveshje prej 20 miliardë dollarësh për uraniumin, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke theksuar se “nuk po shkëmbehet asnjë para”.