Shkrime
Meteori ndriçues dhe showman-i që po trullos botën, nuk do të na fusë dot në Bashkimin Europian
Nga Agim Nesho
Integrimi i Edi Ramës në Bashkimin Europian duhet të jetë një nga pikësynimet kryesore të BE-së. Gabimisht europianët humbën shumë kohë duke u marrë më Shqipërinë për ta integruar atë së bashku me Malin e Zi në kushtet e sotme gjeopolitike. Shqipëria sot nuk ekziston në formën e një demokracie që funksionon, mbi 1 milion janë larguar, ka vetëm një sens zhvillimi të turizmit dhe është bërë parajsa fiskale e pastrimit të parave e krimit të organizuar, i cili persekutohet në gjithë vendet perëndimore.
Milva Ikonomi jua tha që në fillim europianëve që Shqipëria ka vetëm një brand, dhe ky është Edi Rama. Edi Rama sot është bërë showman-i që po trullos Europën, guximtar në mendimet e tij, gjithëpërfshirës duke qenë një lider kristiano-mysliman që dashuron judaizmin dhe do të krijojë shtetin bektashi; shan Trumpizmin dhe Trump, por është i pari që vrapon ti bashkohet inisiativave të tij; i pari që ju tregon europianëve që nuk duhet të varen nga fuqi të tjera për të zgjidhur sigurinë dhe mbrojtjen e tyre, por nga ana tjetër ju bën thirrje amerikanëve të përdorin Shqipërinë si platformë për të sumuar Iranin; shan Putinin kur është me Zelenskin, por i bën thirrje Europës të ulet me Rusinë për të gjetur një zgjidhje.
Thjesht një meteor ndricues që e ka bërë Marta Kos të besojë se është lideri vizionar që i duhet Europës. Kjo e fundit është e vonuar dhe nuk ka parë gjithë kontributin e tij për të ledhatuar Makronin duke i dhënë edhe podiumin në një forum të “Davosit të shkretëtirës’ që e transferoi në Tiranë; të gjunjëzimit ndaj Melonit duke i dhënë të drejta mbi territorin që as Ducja nuk i fitoi me pushtimin e Shqipërisë; mbështetjen ndaj Sancez duke i thënë që “të mos dorëzohej” kur drejtësia spanjolle ngriti akuza korrupsioni ndaj familjes së tij; lideri që ndihmoi Vucic për të mos u ndëshkuar nga europianët për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke u treguar zemërgjerë që Veriun e Kosovës e quajti tokë të askujt; njeriut që u vetë-ofrua për tu sakrifikuar si ndërmjetës i konfliktit midis Turqisë dhe Greqisë, pavarësisht se ka rënë në dashuri me Greqinë (kohët e fundit) dhe ka pranuar të jetë vasal i Turqisë i mahnitur nga doktrina “Zero probleme me fqinjët”.
Edi Rama është një lider botëror që po shkëlqen, pavarësisht se shtypi grek e quan makiavelist dhe nuk e ka kuptuar rolin e tij të madh, që duke e burgosur Belerin e coi në Parlamentin Europian; që ai s’ka të bëjë me krimin e organizuar por ai po luftohet nga drejtësia e tij e pavarur; se grekët përpara se të flasin për narko-shtetin Shqiptar të shikojnë Barcelonën, Antverpin, etj.; që është i aftë t’ju japë grekëve statuja dhe lavdi, por jo kullat dhe ndërtimet në Himarë që janë pronë ekskluzive e tij.
Rama është arkitekti i madh i lidhjes së Europës me mbretëritë arabe, për ti lidhur ata me Europën duke dhënë shembullin e tij personal duke ju dhënë rezorte dhe porte nga pasuria publike për ti ëmbëlsuar ata me Europën. Ai e ndihmon Europën të marrë modelin politik të mbretërive arabe por edhe modelin e “djemve të Dubait” që do tu mundësojë liderave europianë që mos vdesin të varfër.
Europa e bashkuar, pasi u magjeps nga atletet e bardha të Ramës dhe vizatimet e tij mahnitëse, pasi harroi që opozita shqiptare po burgosej dhe demokracia Shqiptare po shkatërrohej, duhet ta marrë seriozisht si një fenomen që mund ta ndihmojë atë. Ai është NJERIU-SHTET që po sundon Shqipërinë, por mund ta shpëtojë Europën. Integrimi i Edi Ramës në BE dhe përkrahja e veprimeve të tij mund të sjellë që kriza europiane e tanishme mund të tejkalohet. Ai është i aftë të gjejë kompromis për Groenlandën me SHBA-në duke i dhënë si paketë Danimarkën edhe Marta Kos, mund të ndajë Ukrainën dhe ta ulë Putin me Europën për të ndarë zonat e influencës, mund të marrë në Ballkanin Perëndimor gjithë emigrantët e paligjshëm në kampe emigrantësh, modelet e të cilëve po i krijon në Shqipëri.
Pra, mos u merrni me Shqipërinë por me Edi Ramën, që e ka transformuar Tiranën me kulla të larta dhe të bukura dhe ju kënaq me humorin e tij. Djemtë e Londrës dhe të Dubait nuk do t’ju harrojnë asnjëherë.