Bota
Të gjithë të prekur me virusin e Trump, flasin për bisedime por marrëveshje nuk ka
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është arritur përparim i konsiderueshëm në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për rivendosjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, por theksoi se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.
Duke folur para gazetarëve në Departamentin e Shtetit, Rubio tha se negociatat kanë avancuar ndjeshëm dhe shprehu besimin se palët mund të arrijnë një marrëveshje në një të ardhme të afërt.
Bisedimet janë përqendruar në garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit natyror. Çdo ndërprerje e qarkullimit në këtë korridor ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Më herët gjatë ditës, edhe Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u shpreh optimist për ecurinë e negociatave. Në një intervistë, ai tha se SHBA-ja dhe Irani janë shumë pranë një marrëveshjeje dhe se ajo mund të arrihet “sot ose nesër”.
Sipas Bessent, marrëveshja do të ketë si parim themelor garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Ai theksoi se qindra anije vazhdojnë të presin për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar se një marrëveshje do të ndihmonte në uljen e çmimeve ndërkombëtare të energjisë.
Megjithëse zyrtarët amerikanë janë shprehur optimistë për ecurinë e negociatave, deri tani nuk është bërë publike asnjë marrëveshje zyrtare mes Uashingtonit dhe Teheranit.