Connect with us

Politike

DUMA ZBULON PRAPASKENAT E LARGIMIT NGA PD-JA

Moderatorja  e “Top Story”, Grida Duma, ka rrëfyer detajet e vendimit për t’u larguar nga Partia Demokratike, duke e lidhur atë me krizën e brendshme që, sipas saj, u shkaktua nga drejtimi dhe përplasjet e Sali Berishës, të cilat çuan në humbjen e kohezionit dhe identitetit politik të forcës.

Duma u shpreh se momenti kur vendosi të largohej erdhi pasi bindja e saj se PD kishte humbur arsyen pse bënte politikë ishte bërë e plotë.

“Për mua në ato çaste humbi plotësisht të bërit politikë, në një grupim politik i cili kishte humbur kohezionin, shumësinë dhe qartësinë e vet. Kanë qenë zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, dhe kam pasur një protagonist të PD-së në emision, i cili më tha: “Si ta bënim PD-në? Ti ike, disa të tjerë ikën.

Iu përgjigja: “Sepse ju u çmendët”(qesh).

Nga pikëpamja politike dhe logjike, për mua, Partia Demokratike linte shumë për të dëshiruar, sa i përket arsyes pse po bëhej politikë. Fragmentarizimi i saj, mungesa e mirëkuptimit brenda vetes, mungesa e kohezionit dhe bërjes bashkë për gjëra që ishin më të mëdha sesa të voglat që na ndanin, vendosja e gishtit dhe fajtorit brenda vetes pafund, a thua se nuk e dinim që përgjegjësit nuk ishin as anëtarët, as bashkëvepruesit në politikë, por ishte udhëheqësia e Partisë Demokratike, midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, apo mes Sali Berishës dhe vetë Sali Berishës.”, tha Duma në UET Cast.

Në të njëjtën intervistë, Duma foli edhe për vendimin për t’iu përkushtuar medias, duke pranuar se fillimisht kishte menduar ta kombinonte atë me angazhimin politik, por më pas zgjodhi të shkëputej përfundimisht nga politika.

“Nuk mendova se do ta bëja në çastin e parë. Mendova se mund të tentoja të hyja edhe në media dhe ta mbaja pozicionin politik. Mendoj se njeriu në jetë duhet të ketë këllqe dhe guxim të bëjë një zgjedhje. Besoj se bëra zgjedhjen e duhur nëse shohim sesi janë sot të gjitha ata që marrin pjesë në estabilishmentin politik aktual”, u shpreh Duma.

Advertisement