Rajon
44-vjeçari shqiptar u gjend i pajetë në stallë, gjendet arma e krimit
Policia greke ka zbuluar armën e dyshuar të krimit të përdorur në vrasjen e një 44-vjeçari shqiptar në Greqi, i cili u gjet i pajetë në një stallë në rajonin e Mesinisë. Viktima kishte një plagë në kokë, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Sipas të dhënave, arma e gjetur rezulton se i përket pronarit të moshuar të stallës, babait të një gruaje 50-vjeçare. Kjo e fundit, së bashku me partnerin e saj, janë personat që kanë konstatuar trupin e pajetë të 44-vjeçarit.
Autoritetet greke po hetojnë dy pista kryesore: atë të vrasjes dhe të vetëvrasjes, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të jetë vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje tre persona që dyshohet se e njihnin viktimën. Ndërkohë, policia ka rrethuar menjëherë vendin e ngjarjes, duke sekuestruar prova materiale dhe duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim rindërtimin e plotë të lëvizjeve të fundit të viktimës dhe identifikimin e çdo lidhjeje të mundshme me ngjarjen.
Viktima nuk ishte banor i zonës së Kalamatës, por jetonte në Korinth. Sipas raportimeve, ai rezulton të ketë pasur më herët probleme me drejtësinë, pasi ishte arrestuar disa vite më parë për kultivim kanabisi.