Kosova
Oferta 10 milionë euro/ Partitë në Kosovë bien dakord që 7 qershori të jetë data e zgjedhjeve
Partitë politike, në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, janë dakorduar që 7 qershori të jetë data për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë
Përfaqësuesit e partive kanë deklaruar se e kanë pranuar këtë datë, pasi është kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u shpreh se cilado datë që vendoset për zgjedhje do të respektohet nga ky subjekt politik.
“Cilado nga datat brenda afateve kushtetuese dhe brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme. Kështu që ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje, qoftë më 31 korrik apo 7 qershor”, u shpreh Hamza.
Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkuan që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori.
“Si Lidhje Demokratike e Kosovës dhamë opinionin tonë që brenda kornizës ligjore të shpallet data 7 qershor si data e zgjedhjeve. Meqë ishte një arsyetim që KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, për shkak se i nevojitet më shumë kohë për mobilizimin e strukturës së saj dhe organizimin sa më profesional të zgjedhjeve”, deklaroi Jehona Lushaku-Sadriu.
Ngjashëm, edhe përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka konfirmuar se janë dakorduar për 7 qershorin.
Gjini, ndër të tjera, u shpreh se AAK-ja është përgatitur që të garojë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Deputetët e legjislaturës së X-të kanë dështuar të zgjedhin presidentin e ri të vendit, edhe pas periudhës shtesë prej 34 ditësh të dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Kjo do të jetë hera e dytë që vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Tani, brenda 45 ditëve, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja, të cilat pritet të zhvillohen më 31 maj ose më së largu më 7 qershor.
Zgjedhjet pritet të i kushtojnë shtetit afër 10 milionë euro.