Aktualitet
Dëshmia prekëse e banorit: U futa me vrap për të shpëtuar nënën dhe gruan
Momente paniku dhe frike kanë përjetuar banorët e pallatit pesëkatësh në Elbasan, ku shpërthimi i fuqishëm shkaktoi dëme të rënda materiale dhe një viktimë.
Një prej banorëve ka rrëfyer momentet e para pas shpërthimit, kur dëgjoi zhurmën dhe u nis me vrap drejt banesës për të shpëtuar nënën dhe bashkëshorten e tij. Ai tregon se arriti t’i nxirrte të dyja jashtë, por nuk mundi të ndihmonte banorët e tjerë, pasi tymi i zi kishte mbuluar ambientet dhe e bënte të pamundur hyrjen në pjesët e tjera të pallatit.
Sipas dëshmisë së tij, nëna ndodhet aktualisht në spital për shkak të problemeve me tensionin, ndërsa bashkëshortja është në gjendje të mirë shëndetësore.
Banori tregoi se kishte dëgjuar për një grua të moshuar që kishte humbur jetën në pallat, por nuk kishte informacion për personin që rezultonte ende i pagjetur.
Ai përshkroi edhe dëmtimet në hyrje të banesës, duke thënë se njëra prej dyerve ishte rrëzuar nga fuqia e shpërthimit. Në momentet e para, banorët e tjerë po përpiqeshin të dilnin nga ndërtesa, ndërsa tymi dhe dëmtimet e bënin evakuimin edhe më të vështirë.