Bota
Kremlini në alarm për atentat ndaj Putinit/ Rrezik për krijimin e një grusht shteti
Kremlini është vendosur në gatishmëri të lartë mes shqetësimeve për një atentat të mundshëm ndaj presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa në skenë shfaqet edhe rreziku i një grushti shteti. Lajmi bëhet i ditur nga një raport i agjencive evropiane të inteligjencës, i cituar nga CNN.
Sipas raportit, Kremlini ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë për kreun e shtetit. Shërbimet sekrete ruse kanë instaluar sisteme mbikëqyrjeje edhe në ambientet e bashkëpunëtorëve të afërt të Putinit. Kuzhinierëve, truprojave dhe fotografëve të tij u është ndaluar përdorimi i transportit publik, ndërsa vizitorët i nënshtrohen kontrolleve të dyfishta. Gjithashtu, stafi i afërt përdor telefona pa akses në internet për të shmangur rrjedhjet e informacionit.
Raporti thekson se autoritetet ruse kanë reduktuar ndjeshëm lëvizjet e presidentit. Vladimir Putin nuk frekuenton më rezidencat e zakonshme në rajonin e Moskës dhe në Valdai, ndërsa nuk ka vizituar asnjë bazë ushtarake gjatë këtij viti, ndryshe nga praktika e tij në vitin 2025.
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, Putini ka kaluar periudha të gjata në bunkerë të përforcuar, shpesh në rajonin e Krasnodarit, pranë Detit të Zi. Dokumenti, i siguruar për CNN dhe media të tjera, vjen në një moment të ndjeshëm për Kremlinin, katër vite pas nisjes së konfliktit.
Raporti nxjerr në pah edhe përçarje brenda strukturave të sigurisë dhe ushtrisë ruse, lidhur me përgjegjësinë për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë. Kjo ka çuar në rishikimin e protokolleve të sigurisë dhe zgjerimin e mbrojtjes për 10 komandantë të tjerë të lartë.
Sipas inteligjencës evropiane, që nga fillimi i marsit, Kremlini dhe vetë Putin janë të shqetësuar për rrjedhje informacioni dhe për mundësinë e një komploti apo grushti shteti. Presidenti rus raportohet se është veçanërisht i kujdesshëm ndaj përdorimit të dronëve për një atentat të mundshëm.
Një element kyç i raportit lidhet me Sergei Shoigu, ish-ministër i Mbrojtjes dhe aktualisht sekretar i Këshillit të Sigurisë, i cili konsiderohet si figurë me ndikim të madh në komandën ushtarake dhe potencialisht i lidhur me rrezikun e një grushti shteti.
Arrestimi i ish-zëvendësit të tij, Ruslan Chalikov, më 5 mars për akuza korrupsioni, shihet si një goditje ndaj ekuilibrave brenda elitës ruse. Sipas raportit, kjo ngjarje ka dobësuar pozitën e Shoigut dhe ka rritur tensionet brenda strukturave të pushtetit.
Gjithashtu, përplasjet mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov dhe kreut të shërbimit të sigurisë Alexander Bortnikov për dështimet në mbrojtjen e zyrtarëve kanë thelluar krizën e brendshme.
Në një takim të tensionuar në fund të vitit të kaluar, pas vrasjes së një gjenerali rus në Moskë, Putin u kërkoi zyrtarëve të paraqesin zgjidhje konkrete brenda një jave. Si rezultat, u vendos zgjerimi i rolit të Shërbimit Federal të Mbrojtjes për të garantuar sigurinë e një numri më të madh zyrtarësh të lartë.
Publikimi i këtij raporti konsiderohet i pazakontë, pasi agjencitë perëndimore rrallë zbulojnë informacione të klasifikuara. Megjithatë, analistët e shohin këtë si një sinjal të përpjekjeve për të theksuar dobësitë e brendshme të Rusisë në mes të luftës në Ukrainë.