Connect with us

Politike

Lamallari thirrje prokurorëve: Zjarrvënësit duhet të dalin para drejtësisë e të ndëshkohen ashpër

Operacioni për përballimin e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës vijon nga toka dhe ajri, me angazhimin e forcave zjarrfikëse, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile.

Ndërhyrja po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të temperaturave të larta dhe terrenit të thyer të zonës. Strukturat në terren po punojnë për izolimin e vatrave dhe kufizimin e përhapjes së flakëve, ndërsa operacioni mbështetet edhe nga ndërhyrjet ajrore.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka deklaruar se puna do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe mbrojtjen e sipërfaqeve të Parkut Kombëtar të Lurës.

Në reagimin e tij, Lamallari ka kërkuar gjithashtu hetim dhe ndjekje penale për rastet kur zjarret dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht. Ai u ka bërë thirrje strukturave të Policisë së Shtetit që të identifikojnë autorët e mundshëm, ndërsa prokurorëve u ka kërkuar angazhim në hetimin dhe procedimin e rasteve të zjarrvënies së qëllimshme.

Sipas ministrit, personat përgjegjës për dëmtimin e pasurisë natyrore duhet të përballen me përgjegjësinë që parashikon ligji.

Ndërkohë, ekipet e angazhuara në Lurë vijojnë ndërhyrjen për shuarjen dhe izolimin e vatrave aktive, ndërsa mbrojtja e zonave të pyllëzuara dhe e sipërfaqeve të mbrojtura mbetet prioritet i operacionit.

Advertisement