Bota
INVESTIGIMI – Katastrofa e Covid-19 ‘maskuar’ nga shifra zyrtare. Si po i fsheh regjimi i Putinit numrat e viktimave nga koronavirusi
RUSI– Edhe pse Rusia është një nga vendet që po e kalon me çmimin më të rëndë valën e dytë të koronavirusit, regjimi i Moskës po bën ç’është e mundur për të fshehur dështimet e tij. Të martën e kaluar u arrit shifra rekord e 491 të vdekurve që e çoi në 37,031 numrin zyrtar të atyre që kanë humbur jetën nga pandemia. Por mjekë, statisticienë dhe ekspertë të pavarur e bëjnë këtë shifër disa herë më të lartë.
Statistikat e Rospotrebnazor (agjensia shtetërore e shëndetësisë) janë kokë e këmbë një gënjeshtër, i ka thënë gazetës franceze Le Figaro, demografi Alexei Rakcha. Sipas të dhënave që ai ka mbledhur nga gjëndja civile rezulton se përgjatë këtij viti ka 330 mijë të vdekur më shumë, 80% e të cilëve nga Covidi. Pra një shifër 8 herë më e lartë se ajo zyrtarja që e rendit Rusinë për numrin e vdekjeve pas tre vendeve të para si SHBA, Brazili, India.
Alexei Rakcha është edhe më shumë pesimist. Sipas projeksioneve ai e llogarit në 300 mijë numrin e të vdekurve deri në fund të 2020. “Me gjysmën e popullsisë të Amerikës (147 miljonë Rusia dhe 328 milionë SHBA) ne numërojmë pak më tepër vdekje se ata (264 000 me 252 000 deri në 20 nëntor)” thotë ai. Sipas tij 70% të vdekjeve nga Covidi në Moskë dhe 80% në provinca nuk raportohen si të tilla.
Sipas investigimit të së përditshmes franceze shifrat manipulohen nga metodologjia e numërimit që përdor ministria ruse e shëndetësisë. Nw artikull thuhet se ka zona ku numri i jetëve të humbura nga Covid është i ulët por ai i vdekjeve nga pneumonia ka kërcyer mbi 30% në krahasim me vitet e tjera.
Një tjetër ekspert i pavarur që ka folur për Le Figaro, ka përdorur një algoritëm për të treguar se në zonat ku vidhen më shumë zgjedhjet, janë të njëjtat me ato ku vdekjet nga Covid fshihen më tepër. Problemi qëndron tek guvernatorët e provincave të cilët kanë frikë të flasin hapur për mungesat e sistemit shëndetësor, nga droja se Putin i shkarkon menjëherë.
Ndonëse presidenti rus deklaroi së fundmi se “nuk është e nevojshme të zbukurohet realiteti dhe të pretendohet se gjithçka po shkon mirë, pasi askush nuk ka nevojë për raporte të mira dhe fshehje të problemeve”, në terren ndodh e kundërta.
I njëjti fenomen po vihet re edhe me vaksinën. Rusia pretendon se ka zbuluar dy të tilla, Sputnik V dhe EpiVakCorona e prodhuar në laboratorët sekretë të Novosibersk. Ndonëse këto vaksina gjenden ende në fazën e tretë të provave klinike, kjo nuk i ka penguar drejtuesit e institutit Gamaleya të deklarojnë se deri më tani kanë vaksinuar një miljonë e gjysëm njerëz. “Për Rusinë është më e rëndësishme prestigji i vendit të parë që zbuloi vaksinën”, thotë biologjistja molekulare Irina Iakoutenko.