Bota
TRUMP NE OKB: IRANIN DO TA DERGOJ NE FERR
Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur një gjuhë të ashpër gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke deklaruar se gjatë presidencës së tij ka “ridizenjuar botën” dhe duke kërcënuar Iranin me pasoja të rënda nëse nuk arrihet një marrëveshje.
“Kam ridizenjuar skenën botërore”, deklaroi Trump, duke e paraqitur politikën e jashtme të administratës së tij si një seri marrëveshjesh dhe ndërhyrjesh që, sipas tij, kanë ndryshuar zhvillimet ndërkombëtare.
Në qendër të fjalimit ishte Irani. Trump tha se Teherani ka dy mundësi: të negociojë me SHBA-në ose të përballet me një përshkallëzim të fortë.
“Do të bëjmë një marrëveshje me Iranin… ose do ta asgjësoj Republikën Islamike. Do t’i tërheq zvarrë në ferr”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump tha se beson se një marrëveshje me Iranin mund të arrihet pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. Ndërkohë, delegacioni iranian u largua nga salla gjatë fjalimit të tij, ndërsa në prapaskenë të dërguarit amerikanë zhvilluan një takim disaorësh me përfaqësues iranianë.
Në fjalimin e tij, Trump sulmoi gjithashtu OKB-në dhe kundërshtoi krijimin e rregullave globale për inteligjencën artificiale.