Politike
“Bela me Taon janë shokë, do bëhet kryetar Kuvendi”/ BISEDA mes Hysenit dhe Agasit
Detaje të reja nga dosja hetimore ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, hedhin dritë mbi komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi dhe mbi dokumentet e sekuestruara në automjetin e këtij të fundit.
Sipas pjesëve të dosjes të publikuara nga Top Channel, në 20 korrik 2026, në ambientet e “Equos Resort” në Tiranë, autoritetet sekuestruan automjetin në pronësi të Ergys Agasit. Dy ditë më vonë, gjatë kontrollit të mjetit, u sekuestruan edhe nëntë printime në format të madh, që përmbanin diagrama me të dhëna të ngjashme me materiale të prodhuara nga SHISH.
Në dosje thuhet se, gjatë seancës për verifikimin e masës së sigurimit, Agasi ka pranuar se automjeti ishte i tij dhe se dokumentet ishin lënë prej tij me qëllim që të gjendeshin nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërkohë, sipas të njëjtës dosje, Vlora Hyseni është pyetur nga SPAK më 18 shtator, në cilësinë e personit që kishte dijeni për veprën penale. Ajo ka pranuar se kishte komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Agasin deri në ditën e arrestimit të tij, por ka mohuar takimet fizike me biznesmenin.
Hyseni e ka shpjeguar komunikimin me pretendimin se Agasi i kishte ofruar bashkëpunim Shërbimit Informativ të Shtetit. Ajo ka mohuar gjithashtu që Agasi të kishte siguruar informacione nga SHISH dhe është zotuar se do të kthente përgjigje zyrtare, përmes një shkrese të klasifikuar, lidhur me origjinën e nëntë diagrameve të sekuestruara.
Por SPAK ka ballafaquar këtë version me të dhënat e administruara nga pajisjet e Agasit dhe me komunikimet mes dy personave. Në dosje, prokurorët shprehen se nga komunikimet e administruara nuk rezulton që Agasi të ketë qenë thjesht marrës i informacionit si një bashkëpunëtor i shërbimit. Sipas SPAK-ut, nga përmbajtja e bisedave krijohet dyshimi se ai kërkonte dhe diktonte informacionin që i nevojitej.
Një tjetër element i rëndësishëm është intensiteti i komunikimeve. Sipas dosjes, vetëm për periudhën 28 qershor–26 gusht 2026, në aplikacionin Signal janë regjistruar komunikime të shumta mes Hysenit dhe Agasit, përfshirë telefonata zanore, video-thirrje dhe mesazhe.
Të dhënat e administruara nga telefoni i Agasit flasin për 508 forma komunikimi mes tyre gjatë kësaj periudhe. Në dosje përfshihen 70 thirrje hyrëse nga Hyseni drejt Agasit, 17 thirrje dalëse nga Agasi drejt Hysenit, 28 thirrje të humbura dhe 26 thirrje pa përgjigje.
SPAK thekson gjithashtu se, pavarësisht pretendimit për një bashkëpunim të Agasit me SHISH-in, sipas hetimit, asnjë prej instancave përkatëse brenda apo jashtë institucionit nuk ishte vënë në dijeni për këtë bashkëpunim të pretenduar.
Në dosje përmenden edhe mesazhe me tone personale mes Hysenit dhe Agasit, të cilat sipas hetuesve dëshmojnë për një komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm. Ky komunikim, sipas SPAK-ut, ka vijuar edhe gjatë kohës kur Agasi ishte në kërkim nga drejtësia.
Hetuesit kanë analizuar gjithashtu mesazhe ku Hyseni i përcillte Agasit informacione për aktivitetet dhe takimet e saj. Në një komunikim të 24 gushtit, ajo i shkruante se të nesërmen duhej të takonte kryeministrin në orën 08:30.
Në një tjetër mesazh të datës 19 gusht, Hyseni i shkruante Agasit se “Skënderi” e kishte thirrur për t’u takuar të hënën. Sipas dosjes, bëhet fjalë për Skënder Hitën, i identifikuar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Në vijim të mesazhit shfaqet edhe shprehja: “Të shpresojmë që ka porosit KM…”.
Dosja përmend edhe komunikime të tjera ku, sipas hetuesve, Hyseni i përcillte Agasit informacion paraprak mbi zhvillime politike dhe institucionale, duke përfshirë një mesazh ku përmenden Taulant Balla dhe Belinda Balluku.
Të gjitha këto elemente janë pjesë e materialeve hetimore të SPAK dhe përbëjnë bazën e dyshimeve të ngritura ndaj ish-drejtoreshës së SHISH. Përmbajtja e komunikimeve dhe origjina e dokumenteve të sekuestruara pritet të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor, ndërsa pretendimet e palëve mbeten për t’u vlerësuar nga gjykata.