Bota
PAQJA E TRUMP NE GAZA, NJE SPEKTAKEL TURPI-MACRON
Presidenti francez Emmanuel Macron ka kundërshtuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump se ka siguruar paqen në Gaza, duke argumentuar se situata në terren mbetet larg normalizimit dhe se aksesi humanitar në enklavë nuk është rikthyer.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Macron kritikoi mënyrën se si Trump e ka paraqitur planin e tij të paqes në Gaza si një sukses diplomatik. Sipas presidentit francez, nuk mund të flitet për një paqe të qëndrueshme për sa kohë që ndihma humanitare nuk mund të hyjë në mënyrë të rregullt në territor.
“Disa mburren me një paqe të supozuar. Por kjo paqe nuk e ka rihapur aksesin humanitar për asnjë sekondë”, deklaroi Macron, duke shtuar se bota nuk mund të qëndrojë pasive përballë situatës në Gaza.
Ai mbrojti gjithashtu njohjen e shtetit palestinez dhe zgjidhjen me dy shtete, duke e cilësuar këtë model si një parakusht për sigurinë afatgjatë të Izraelit dhe popullit palestinez.
Deklaratat e Macron erdhën vetëm pak orë pasi Donald Trump, nga e njëjta foltore, kishte prezantuar planin e tij për Gazën si një arritje të rëndësishme diplomatike.
Nga Shtëpia e Bardhë reaguan duke mbrojtur presidentin amerikan. Zëdhënësja Anna Kelly deklaroi se Trump i ka dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit, ka siguruar lirimin e pengjeve dhe po udhëheq zbatimin e planit 20-pikësh për paqen në Gaza.
Ndërkohë, Macron është përballur edhe me kritika në Francë për mënyrën se si qeveria e tij ka vepruar pas njohjes së shtetit palestinez. Parisi ka ashpërsuar gjithashtu qëndrimin ndaj dhunës së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe ka vendosur masa ndëshkuese ndaj disa individëve.