Thinking ...
Connect with us

Kosova

Djali i Hashim Thaçit falenderon publikisht shqiptarët: Ju na motivoni të vazhdojmë betejën ligjore

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së hyn sot në ditën e shtatë në Prishtinë. Protestuesit pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, ku kërkohet lirimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këtë situatë, Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, ka reaguar publikisht duke falënderuar shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, viset shqiptare dhe diasporën për mbështetjen ndaj familjes së tij pas vendimit.

Në një reagim të bërë për emisionin “Ftesë në 5”, ai tha se mesazhet dhe reagimet e qytetarëve kanë qenë një burim force për familjen dhe se beteja ligjore nuk ka përfunduar.

“Vendimi mund të na ketë lënduar, por nuk na ka mposhtur. Beteja nuk ka mbaruar”, shkruan Endrit Thaçi, duke shtuar se familja do të vijojë të ndjekë çdo mundësi ligjore për të kundërshtuar vendimin.

Ndërkohë, mbrojtjet e katër ish-krerëve të UÇK-së kanë nisur procedurat për apelimin e vendimit të shpallur më 16 shtator. Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, avokatët kanë afat deri më 25 shtator për të njoftuar gjykatën për pjesët e aktgjykimit që synojnë të kundërshtojnë në Apel.

Mbrojtja ka sinjalizuar se kundërshtimet do të përfshijnë edhe çështje që lidhen me përgjegjësinë për vrasjet dhe ndalimet e paligjshme, përfshirë rrethanat në të cilat, sipas argumenteve të mbrojtjes, ndërhynte edhe një palë e tretë, NATO.

Sipas të njëjtave raportime, mbrojtja e viktimave ka afat deri më 14 tetor për paraqitjen e provave lidhur me dëmshpërblimet, ndërsa Prokuroria ka afat deri më 4 nëntor për dorëzimin e shkresave të saj.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me dënime që në total arrijnë në 81 vite burg. Vendimi është kundërshtuar nga mbrojtjet dhe tashmë pritet shqyrtimi i çështjes në fazën e apelimit.

Advertisement