Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

GJKKO cakton se kur do të mbahet seanca ndaj Vlora Hysenit

Gjykata e Posaçme ka caktuar për 24 shtator seancat për marrjen në pyetje të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe të dy personave të tjerë nën hetim në të njëjtin procedim penal.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme, Vlora Hyseni do të paraqitet para gjykatës në orën 12:00, ndërsa më herët, në orën 09:00, do të zhvillohet seanca për Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin.

Prokuroria e Posaçme ka depozituar më 23 shtator kërkesat për marrjen në pyetje të tre personave nën hetim. Ndaj Hysenit është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, ndërsa ndaj Kalluçit dhe Sulejmanit është caktuar masa “arrest në burg”.

Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal lidhet me dyshime për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal, me akuzat e dyshuara të ndryshme për secilin prej personave nën hetim.

Seancat e 24 shtatorit do të shërbejnë për marrjen në pyetje të tyre nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të verifikimit të masave të sigurimit të vendosura ndaj tyre.

Procedimi ndaj Hysenit dhe dy personave të tjerë është në fazën e hetimit dhe përgjegjësia penale do të përcaktohet në përfundim të procesit gjyqësor.

Advertisement