Connect with us

Aktualitet

Skandal me sigurinë ushqimore/ “Parmigano djath bebe” shitet i skaduar në market

Një tjetër skandal me sigurinë ushqimore është denoncuar këtë herë ndaj rrjetit BioJu, ku një produkt me origjinë shtazore është kapur duke u shitur i skaduar, ndërkohë që askush nuk duket të ketë mbajtur përgjegjësi. Bëhet fjalë për produktin “Parmigano djath bebe”, i cili kishte afat përdorimi deri më 3 maj, por më 6 maj vazhdonte ende të qëndronte në raft dhe t’u shitej qytetarëve si produkt normal.

Fakti që një ushqim i tillë, i konsumuar shpesh edhe nga fëmijët, vijonte të tregtohej pas skadencës është alarmues dhe nxjerr zbuluar jo vetëm papërgjegjshmërinë e supermarketit, por edhe dështimin total të AKU, institucionit që paguhet pikërisht për të parandaluar raste të tilla.

Është e pafalshme që një market që shet produkte ushqimore të lejojë mallra të skaduara në raft, sidomos produkte me bazë qumështi që përbëjnë rrezik të lartë për shëndetin nëse konsumohen pas afatit. Kjo tregon ose mungesë totale kontrolli, ose një neglizhencë kriminale ndaj konsumatorëve që hyjnë çdo ditë në market me bindjen se produktet që blejnë janë të sigurta.

Por edhe më skandaloze është heshtja e AKU-së. Ky institucion shfaqet vetëm për propagandë, për aksione kamerash dhe deklarata boshe, ndërsa në praktikë qytetarët vazhdojnë të blejnë ushqime të skaduara pa asnjë garanci sigurie. Nëse një produkt i tillë arrin të qëndrojë me ditë të tëra në raft pa u konstatuar, atëherë çfarë kontrollesh bëhen realisht? Ku janë inspektorët? Apo mjafton një vulë formale dhe pjesa tjetër lihet në dorë të fatit?

Qytetarët po paguajnë çmime marramendëse për produkte që teorikisht duhet të jenë të kontrolluara, por në fund rezulton se askush nuk garanton as standardin më minimal të sigurisë ushqimore.

Advertisement