Shkrime
Urrejtja në gjykim/ Drama Ndrenika e Veliaj, teatri real që e ka ende larg fundin
Nga Lorenc Vangjeli
Ishte e pabesueshme, por dhe e pritshme dhe e parashikueshme, shtrëngata dixhitale ndaj shfaqjes së dyshes Ndrenika – Veliaj në sallën e gjyqit. Një skenë teatri natyralist, ku aktori profesionist luan njeriun që është dhe jo personazhin që i diktonte dikur skenari, kurse politikani i prangosur, ishte në rolin e personazhit real të dramës vetjake të kushtëzuar nga rrethanat. Mjaftuan edhe aq pak çaste filmike, një gjysmë dialogu dhe një puthje në ballë e aktorit njeri mbi politikanin personazh, që të kuptohet më pas thellësia dramatike dhe deformimi i gjykimit plot urrejtje dhe shpesh pa logjikë i një pjese jashtëzakonisht të madhe të shoqërisë: Ndarja bardh e zi në gjykim, në të mirë e të këqinj, në moralistë dhe amoralë, në ëngjëj e djaj. Dhe meqë zakonisht urrejtja bërtet më shumë se dashuria, humori i shoqërisë dixhitale, ngriti furtunë urrejtjeje mbi Robert Ndrenikën dhe baltën e ripërdorur ndaj Erion Veliajt.
Në fakt, ky proces publik është i helmuar nga paragjykimet. Të paktën për Veliajn, teatri real i procesit të tij gjyqësor është ende shumë larg verifikimit të fajësisë apo pafajësisë së tij. Deri më tani debati mbi dosjen e tij penale ka qenë i shkëputur, me copëza si mozaikë, i imponuar dhe i drejtuar drejt fajësisë mbi gjykim publik. Çfarë kishte ndodhur më parë me drejtorët e tij të bashkisë, përfshirja e bashkëshortes së tij dhe garderobës së saj në proces, paragjykimet që nuk kanë të sosur dhe mbi të gjitha, armiqësitë e tij politike e mediatike, ishin pjesë të stuhisë perfekte kundër tij. Në PD do të donin ta shihnin prej vitesh në pranga. Në PS, segmente të caktuara e të identifikuara ishin gjithashtu të interesuara që kryetari i bashkisë së Tiranës të shndërrohej në Qazim Mulletin e të majtës. Edhe media ishte element i kësaj lloj stuhie, në të cilën Veliaj kishte arritur që në shumicë të prodhonte miq të rremë dhe armiq të vërtetë. Por të gjitha këto janë sfondi i teatrit real. Skenari i tij ka mbërritur tashmë vetëm në aktin e dytë. Në të parin u luajt drama e arrestit me burg. Nëse arresti në burg ka qenë masa e duhur, proporcionale dhe e përshtatshme për rastin e tij. Verifikimi i saj periodik nga gjykatat e ka lënë ende në qeli Veliajn, tashmë prej më shumë se 15 muajsh. Ky arrest vuri në pikëpyetje edhe mandatin si kryetar bashkie – përballë kokëfortësisë së tij për të dhënë dorëheqje, e shkarkuan me Këshill bashkiak – por e legjitimoi sërish në detyrë Gjykata Kushtetuese. Akti i dytë ka të bëjë me hetimin gjyqësor, ku një sërë pikpyetjesh të tjera do të duhet të marrin përgjigje deri në verifikimin e statusit të tij përpara drejtësisë, fajtor apo i pafajshëm. Saga e marrjes së dosjes në dorëzim, mungesa e njohjes me të, kafazi i qelqtë dhe një mori detajesh të tjera, do të duhet të analizohen për të dhënë një gjykim mbi gjykimin. A ishte procesi i drejtë, i ndershëm, i barabartë? A janë respektuar të drejtat e individit në gjykim? A ka funksionuar për të prezumimi i pafajësisë? A është garantuar barazia e palëve në proces, e kështu me rradhë. Sërish deri në këtë pikë të teatrit real mbi Veliajn, është ende larg momenti për të folur mbi fajësinë apo pafajësinë e tij për gati një dyzinë me akuza. E megjithatë, ky është momenti për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Erion Veliaj bastin e tij e ka me kohën. Edhe me pritjen. Fillimisht ai duhet të duhet të ndajë fatin e tij si qytetar, me të nesërmen si politikan. Natyrisht nuk është e lehtë të bëhet kjo gjë. Eshtë një proces goxha i ndërlikuar. Fillimisht, pa i rënë nga Kina, siç thuhet në zhargon popullor, Veliaj duhet të kujtojë atë proverbin e vjetër kinez që këshillon durim. Durimin e mjaftueshëm për të pritur në breg të lumit që rrjedha t’i nxjerrë vetë në breg kufomat e armiqve. Edhe pse për të ndodhur kjo, duhet të rrjedhë ende shumë ujë nën urat e Lanës. Por pa revansh. Pa etjen e hakmarrjes. Sepse kush niset për t’u hakmarrë duhet të përgatisë dy arkivolë e njëri ndër ta është gjithmonë i destinuar që herët a vonë të shndërrohet për përdorim vetjak.
Si qytetar, si individ, prind e bashkëshort Veliaj duhet të llogarisë se brenda a jashtë kafazit, me transmetim live apo me dyer të mbyllura, ai do të shpallet fajtor. Dhe në këtë pjesë të skenarit, do t’i duhet të luajë dramën e individit. Si politikan i duhet të presë “shkallën e katërt” të drejtësisë shqiptare, gjykatën e Strasburgut. Me siguri matematike, në atë proces, arresti i tij me burg do të konsiderohet arbitrar e joproporcional. Kështu do të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt. Më tej, me pak më shumë fat në dispozicion, për shkak të shkeljeve të verifikuara proceduriale, mund t’i vihet në dyshim edhe vetë fati i dënimit penal. Minimalisht, një rikthim i gjykimit me rihapje të procedurës në Tiranë. Por kjo i përket një të ardhmeje që kërkon shumë më shumë kohë. Nga njëra pikë në tjetrën, ky do të jetë segmenti kohor që do t’i duhet Veliajt për të dalluar miqtë e tij të paktë, fillimisht ata që ka në familjen e tij politike dhe armiqtë që i vijnë nga kudo. Dhe për të kuptuar se në politikë nuk ka as dashuri dhe as urrejtje të përhershme. Ka vetëm përputhje apo kundërshti interesash. Dhe kjo vlen kryesisht për raportin e tij me Edi Ramën, për të cilin ka pasur gjithmonë bindjen se i bashkonte empati reciproke. Në të vërtetë, ai duhet të llogarisë nëse mund të rihyjë apo jo sërish në ombrellën e interesave të kryeministrit.
Gjithkush e ka menduar qoftë dhe njëherë rimishërimin tek vetja të djaloshit francez Edmond Dantes kur hyri në burg dhe shndërrimin e tij në Kontin e Monte Kristos kur doli prej tij. Veliajt do t’i duhet të rihyjë atëherë në rolin e tij si njeri dhe jo më si personazh në teatrin e tij vetjak. Me plagë si qytetar, por me tjetër lloj pjekurie si politikan. Dhe këtë gjë duhet ta bëjë edhe përballë një profesionisti ikonë si Robert Ndrenika, të duartrokitur në skenë e ekran kur luante emocione të diktuara nga skenari e regjia dhe të mallkuar në jetë kur shfaqi emocionet e tij si njeri i diktuar nga zemra. Cfarë mbetet përtej është vetëm histori e të ardhmes që e shkruan ndonjëherë vetëm kapricioja e të shkuarës.