Connect with us

Bota

“Ai thjesht po i mbyllte sytë, idiot”/ Reagim i fortë nga Shtëpia e Bardhë pas fotove të Trump

Shtëpia e Bardhë ka mohuar pretendimet se presidenti amerikan Donald Trump ka fjetur gjatë një aktiviteti zyrtar në Zyrën Ovale, pas publikimit të disa fotove dhe videove që e shfaqnin atë me sytë mbyllur dhe kokën e përkulur.

Reagimi erdhi pasi në rrjetet sociale nisën të qarkullonin imazhe nga një aktivitet për shëndetin e nënave, i organizuar me rastin e Ditës së Nënës, e cila u festua të dielën në Shtetet e Bashkuara.

Stafi i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë reagoi menjëherë ndaj postimeve të gazetarëve dhe përdoruesve në rrjetet sociale që sugjeronin se presidenti kishte dremitur gjatë aktivitetit.

“Ai thjesht po i mbyllte sytë, idiot”, shkroi llogaria “Rapid Response” e Shtëpisë së Bardhë në platformën X, në përgjigje të një postimi të gazetarit të Reuters, Idris Ali, i cili kishte publikuar një foto të Trumpit gjatë eventit.

Megjithatë, gazetari nuk kishte pretenduar se presidenti ishte në gjumë, por vetëm kishte shpërndarë fotografinë me përshkrimin: “Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, merr pjesë në një aktivitet mbi shëndetin e nënave në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, D.C., më 11 maj 2026”.

Pas reagimit të ashpër të Shtëpisë së Bardhë, në rrjetet sociale u publikuan dhjetëra komente që ironizonin mënyrën se si administrata reagoi ndaj fotografive.

Gjatë aktivitetit, Trump komentoi edhe mbi zhvillimet ndërkombëtare, duke deklaruar se armëpushimi me Iranin ndodhej në “një pikë kritike”, ndërsa propozimin e fundit të Teheranit e quajti “mbeturina”.

Nuk është hera e parë që presidenti amerikan akuzohet se ka dremitur gjatë aktiviteteve publike. Kritikat janë shtuar veçanërisht për shkak se vetë Trump ka përdorur shpesh nofkën “Joe i përgjumur” për ish-presidentin Joe Biden gjatë viteve të fundit.

Advertisement