Bota
TRUMP NE KINE/ PARTNER APO KUNDERSHTAR
Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu kinez Xi Jinping u takuan në Pekin për një samit me rëndësi të lartë, të fokusuar në marrëdhëniet mes dy superfuqive dhe në çështjet më të nxehta ndërkombëtare, si Irani, Tajvani, teknologjia dhe tarifat tregtare.
Në nisje të takimit në Sallën e Madhe të Popullit, Trump u shpreh optimist për marrëdhëniet mes dy vendeve. “Sa herë kemi pasur një problem, e kemi zgjidhur shumë shpejt. Do të kemi një të ardhme fantastike së bashku”, deklaroi presidenti amerikan.
Nga ana tjetër, Xi Jinping theksoi se Kina dhe SHBA ndodhen në “një pikë kthese” në raportet mes tyre dhe bëri thirrje për bashkëpunim dhe stabilitet. “Duhet të jemi partnerë, jo kundërshtarë”, tha lideri kinez.
Samiti konsiderohet vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve Pekin-Uashington, sidomos pas muajsh tensioni mbi tregtinë, teknologjinë dhe çështjen e Tajvanit. Kjo është gjithashtu vizita e parë e një presidenti amerikan në Kinë pas afro dhjetë vitesh.
Një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë edhe situata në Lindjen e Mesme. Trump synon t’i kërkojë Pekinit të ushtrojë ndikimin e tij mbi Iranin për t’i dhënë fund konfliktit të nisur në fund të shkurtit mes SHBA-së, Izraelit dhe Teheranit, konflikt që aktualisht ndodhet në një fazë bllokimi.
Presidenti amerikan ka kërkuar gjithashtu rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një korridor strategjik për transportin global të naftës dhe gazit natyror. Ai ka paralajmëruar se Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pranon kufizime mbi programin e tij bërthamor.