Bota
TAJVANI/ KINA I TREGON DHEMBET TRUMPIT
Presidenti amerikan Donald Trump nisi udhëtimin e tij në Pekin duke i thënë homologut të tij kinez, Xi Jinping, se “është nder të jem miku juaj”. Megjithatë, që në fillim, presidenti kinez e paralajmëroi mysafirin e tij të lartë për mundësinë e një përplasjeje mes dy vendeve për shkak të Tajvanit.
“Kontrasti i fortë në tonin e tyre tregoi se sa larg mbeten liderët në çështje të ndërlikuara, si lufta në Iran, mosmarrëveshjet tregtare dhe marrëdhënia e Uashingtonit me Tajvanin. Ai gjithashtu la të kuptohej se takimi i shumëpritur mes Trumpit dhe Xi-së ka të ngjarë të jetë i mbushur me mirësjellje dhe simbolikë, por pa përparim të rëndësishëm në çështjet kryesore”, shkruan Associated Press.
Në deklaratat para takimit me dyer të mbyllura në Sallën e Madhe të Popullit, Trump iu drejtua Xi-së me fjalë vlerësuese. “Ju jeni një udhëheqës i madh. Ndonjëherë njerëzve nuk u pëlqen kur e them këtë, por unë e them gjithsesi, sepse është e vërtetë”, tha Trump, duke shtuar “është nder të jem me ju. Është nder të jem miku juaj”, shtoi ai, përpara se të premtonte se “marrëdhënia mes Kinës dhe SHBA-së do të jetë më e mirë se kurrë”.
Nga ana e tij, Xi Jinping i tha Trumpit se “Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin të ketë sukses dhe të gjejmë mënyrën e duhur që vendet e mëdha të bashkëjetojnë”.
Në nisje të bisedimeve, presidenti kinez theksoi se Tajvani është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA, sipas agjencisë zyrtare kineze të lajmeve Xinhua.
“Nëse e menaxhoni siç duhet këtë çështje, marrëdhënia mes dy vendeve do të mbetet përgjithësisht e qëndrueshme. Nëse nuk e menaxhoni siç duhet, të dy vendet do të përplasen, duke e shtyrë të gjithë marrëdhënien kino-amerikane në një gjendje shumë të rrezikshme”, tha Xi dhe shtoi se “pavarësia e Tajvanit” dhe paqja në Ngushticën e Tajvanit janë të papajtueshme.
Xi synon të marrë lëshime nga Trumpi për të ulur shitjet e armëve amerikane ndaj Tajvanit ose për të ndryshuar qëndrimin diplomatik të SHBA-së ndaj pavarësisë së ishullit.
William Yang, analist i lartë në International Crisis Group, tha se zyrtarë të lartë qeveritarë në Tajvan, si edhe në Japoni dhe Filipine, ishin “të shqetësuar” për mënyrën se si Trump do të trajtonte kërkesat e mundshme të Xi-së për Tajvanin. Sipas tij, këto shqetësime janë rritur nga fakti se vëmendja ushtarake e SHBA-së në Azi është ulur për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Televizioni shtetëror kinez shfaqi më herët pamje të Xi-së duke zbritur shkallët me tapet të kuq në Sallën e Madhe të Popullit, në sheshin Tiananmen, për të takuar Trumpin. Presidenti amerikan mbërriti me një autokolonë automjetesh të zeza, i shoqëruar nga një formacion motoçikletash të policisë kineze në formë shigjete.
Në mbrëmje, Xi do të shtrojë një darkë shtetërore për Trumpin, i cili shoqërohet nga djali i tij, Eric. Të premten, më 15 maj, Trump pritet gjithashtu të pijë çaj me udhëheqësin kinez. Më pas do të zhvillohet një drekë pune, para se presidenti amerikan të niset me avion drejt SHBA-së.
Mediat zyrtare kineze, që shpesh janë shumë kritike ndaj SHBA-së, përdorën një ton pozitiv para takimit.