Aktualitet
Paketa ushtarake/ Brukseli vijon mbështetjen ushtarake për Shqipërinë
Bashkimi Evropian pritet të miratojë një paketë të re mbështetjeje për Forcat e Armatosura Shqiptare, në një tjetër sinjal të thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Brukselit dhe Tiranës.
Një dokument i Këshillit të Bashkimit Evropian, tregon se “Vendimi i Këshillit mbi një masë ndihme në kuadër të Fondit Evropian të Paqes për të mbështetur Forcat e Armatosura Shqiptare” është futur për adoptim në agjendën e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), që mblidhet më 23 maj.
Vendimi figuron në listën e pikave “non-discussion items”, çka në praktikën institucionale të Bashkimit Evropian nënkupton se shtetet anëtare kanë arritur dakordësi paraprake politike dhe miratimi konsiderohet procedural.
Kjo mbështetje vjen si vazhdim i paketës së dytë bilaterale prej 15 milionë eurosh, të miratuar nga Këshilli i BE-së në korrik të vitit 2025, me synimin për të rritur kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Me atë vendim, mbështetja totale e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kuadër të EPF-së arriti në 28 milionë euro, pas paketës së parë prej 13 milionë eurosh, të miratuar në korrik 2024.
Në deklaratën zyrtare të korrikut 2025, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e cilësoi Shqipërinë si një partner të qëndrueshëm të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, kontribuues në misionet evropiane dhe aleat të NATO-s.
“Shqipëria është një partner i afërt dhe konsistent i politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, kontribuues në operacionet e Bashkimit Evropian dhe aleat i NATO-s. Forcimi i bashkëpunimit tonë në siguri dhe mbrojtje me Shqipërinë forcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen evropiane”, deklaronte asokohe Kallas.
Zhvillimi i ri vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po rrit ndjeshëm fokusin mbi gatishmërinë mbrojtëse dhe investimet ushtarake, mes një mjedisi të përkeqësuar të sigurisë në Evropë dhe tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike.
Mbështetja për Shqipërinë shihet gjithashtu si pjesë e thellimit të partneritetit strategjik mes palëve, pas nënshkrimit të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje BE-Shqipëri në nëntor 2024 dhe nisjes së dialogut të parë të sigurisë dhe mbrojtjes në prill 2025.
Kjo paketë interpretohet në Bruksel edhe si njohje e harmonizimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.