Bota
Tapeti i kuq nuk hiqet nga Pekini/ Putin-Xi Jinping: Marrëdhëniet kanë arritur një nivel të paprecedentë
Gjatë takimit të zhvilluar në Pekin, Vladimir Putin i tha Xi Jinping se Moska dhe Pekini do të vazhdojnë të “zhvillojnë bashkëpunimin bilateral” dhe të punojnë së bashku në platformat ndërkombëtare, përfshirë grupimin BRICS.
Sipas mediave shtetërore kineze, Xi theksoi se marrëdhëniet Kinë-Rusi kanë hyrë në “një fazë të re me zhvillim më të shpejtë”, ndërsa shtoi se baza e besimit të ndërsjellë mes dy vendeve po forcohet vazhdimisht.
Megjithatë, analistët vërejnë se retorika më e fortë vjen kryesisht nga pala ruse.
Putin e ka përshkruar disa herë marrëdhënien me Kinën si “të paprecedentë”, ndërsa Pekini zakonisht përdor një gjuhë më të kujdesshme dhe diplomatike.
Takimi në Pekin u shoqërua me ceremoni shtetërore dhe pritje madhështore, të ngjashme me vizitat e fundit të liderëve të tjerë botërorë në Kinë.
Dy liderët pritet të mbikëqyrin nënshkrimin e 21 dokumenteve bashkëpunimi, përfshirë një deklaratë për forcimin e partneritetit strategjik dhe një tjetër mbi “botën multipolare”.
Gjatë bisedimeve u diskutua edhe situata në Lindjen e Mesme.
Xi deklaroi se rajoni ndodhet në një “moment kritik” dhe bëri thirrje për ndalimin e luftimeve dhe rikthimin e paqes.
Nga ana tjetër, Rusia synon të forcojë bashkëpunimin energjetik me Kinën, veçanërisht në sektorin e gazit natyror, në një kohë kur Moska vazhdon të përballet me sanksionet perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë.
Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se Kina mbetet partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe diplomatik për Rusinë, ndërsa Pekini ruan avantazhin ekonomik dhe ndikimin për të diktuar ritmin e marrëdhënies mes dy vendeve.