Connect with us

Shkrime

Lum kush do ketë fatin të rrojë, ta shoh Vuçiçin e Serbisë si patriarkun e të gjithë botës

Shkruar nga Andrija Lavrek

Të gjithë njerëzit e botës, e sidomos të gjithë serbët, duhet të ndihen me fat që janë bashkëkohës të një figure kaq të madhe si Aleksandar Vuçiç. Sepse Vuçiçi fillimisht ishte nxënësi më i mirë në shkollë dhe në universitet.

Më pas u bë lider i tifozëve të klubit më të madh të futbollit në Serbi dhe më gjerë. Pastaj funksionar i lartë i një prej partive më të mëdha politike ndonjëherë – Partisë Radikale Serbe. Më vonë ministër në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit, pra në qeverinë e shtetit më të madh ballkanik.

Pastaj themelues dhe nënkryetar i partisë më të madhe politike të të gjitha kohërave – Partisë Përparimtare Serbe. Më pas kryetar i saj. Pastaj kryeministër i “Serbisë më të përparuar nga të gjitha Serbitë”. Dhe në fund president i saj.

Por a mbarojnë këtu ambiciet e Aleksandar Vuçiçit? Sigurisht që jo.

Ndoshta, si ‘adashi’ i tij Aleksandar Karagjorgjeviç, mbreti bashkues, ai mund të ribashkojë vendet sllave të Ballkanit në një Jugosllavi të re, edhe më të madhe? Por kjo do të ishte një sfidë shumë e vogël për të.

Ndoshta mund të bëhet president i Kombeve të Bashkuara, pra president i botës?

Ai ndoshta do ta pretendonte edhe këtë post, po të mos ishte OKB-ja e kohës sonë një organizatë tepër e dobët dhe e lëkundur. Nëse Putini, Trump dhe Xi Jinping bien dakord dhe krijojnë “Kombet e Bashkuara të Reja”, atëherë situata ndryshon.

Ata tashmë janë të moshuar dhe, edhe nëse do të drejtonin me radhë këtë organizatë të re botërore, shpejt do të largohen nga kjo botë. E kush do t’i zëvendësojë? Kandidati më i mirë është Aleksandri!

Por ekziston edhe një mundësi tjetër për ngritjen e tij.

Kur e shohim Vuçiçin me duart dhe gishtat e bashkuar si në lutje, mund ta imagjinojmë lehtësisht si patriark. Dhe jo vetëm patriark të Serbisë së vogël, por si patriark të gjithë botës ortodokse! E vetmja keqardhje është se kjo nuk mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. I duhen edhe 15-20 vite që të plaket, të zbardhet dhe të lëshojë një mjekër të gjatë të thinjur.

Prandaj unë dhe të gjithë ne mbi 60 vjeç ndoshta nuk do të kemi fatin ta shohim Vuçiçin si president të botës apo patriark universal, ose më mirë akoma, të dyja njëkohësisht.

Lum brezi i ri. Në çfarë bote të mrekullueshme do të jetojnë!/ “Danas”

Advertisement