Connect with us

Bota

Havana shpërthen në protesta kundër SHBA pas akuzave ndaj Raul Kastros

Mijëra kubanë u mblodhën të premten para Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Havana për të protestuar kundër vendimit të Uashingtonit për të ngritur aktakuzë ndaj ish-presidentit Raul Kastro lidhur me rrëzimin e dy avionëve civilë para tre dekadash, raportoi Reuters.

Demonstrata proqeveritare nisi menjëherë pas lindjes së diellit në bregdetin e Havanës, disa ditë pasi zyrtarët kubanë dolën publikisht në mbrojtje të figurës historike të revolucionit kuban.

Raul Kastro, 94 vjeç, nuk mori pjesë në tubim.

Deputeti kuban Herardo Hernandez, i njohur në Kubë si hero kombëtar dhe ish-agjent i inteligjencës, përcolli një mesazh falënderimi për popullin kuban dhe mbështetësit ndërkombëtarë për solidaritetin e treguar.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit valëvitën flamuj dhe brohoritën slogane si “Rroftë Raul!” dhe “Atdheu ose vdekja!”.

Në tubim morën pjesë edhe presidenti Miguel Diaz-Canel dhe kryeministri Manuel Marrero, si dhe disa anëtarë të familjes Kastro, përfshirë vajzën e Raul Kastros, Mariela Kastro, djalin Alejandro Kastro dhe nipin Raul Rodriguez Kastro.

Në një deklaratë për mediat shtetërore kubane pas protestës, Mariela Kastro tha se babai i saj është në gjendje të mirë.

“Rauli është shumë mirë, shumë i qetë, si një guerilas i vjetër; vëzhgon dhe buzëqesh. Ai gjithmonë ka thënë: ‘Askush nuk do të më kapë të gjallë; do të më kapin duke luftuar’”, deklaroi ajo.

Qeveria kubane pretendon se aktakuza për vrasje, e ngritur të mërkurën ndaj Raul Kastros, bazohet në akuza “të fabrikuara” dhe synon të krijojë një justifikim për ndërhyrje kundër ishullit, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump kërkon të ushtrojë presion ndaj pushtetit në Kubë.

Advertisement