Politike
INTEGRIMI, ANA BRNABIÇ THUMBON RAMEN
Mali i Zi dhe Shqipëria janë dy vendet e Ballkanit Perëndimor që konsideron si kandidatet potenciale lidhur me anëtarësimet e reja në Bashkimin Europian. Kryeministri Edi Rama e konsideron si një sukses të qeverisë së tij dhe përgjigjen më të mirë ndaj cilitdo që kritikon apo akuzon Qeverinë e tij, duke aluduar për bllokimin e procesit të integrimit.
“Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, Shqipëria ishte ndëshkuar, qeveria jonë ishte e izoluar. U gënjyen nga mendja e mbrapshtë dhe u mundën me turp! Më 26 maj, Konferenca Ndërqeveritare vulos me sukses fazën hyrëse dhe hap fazën e mbylljes së negociatave. Kemi ngjitur majën më të vështirë!”, tha Edi Rama një ditë më parë, në podcastin e tij, që transmetohet çdo të dielë në rrjetet sociale.
E ndërsa Rama në Tiranë e konsideron integrimin në BE rezultat të reformave dhe përmbushjes së detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Brukselit, në Beograd ka një tjetër qasje sa i takon të gjithë sjelljes së Unionit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç propozuan përmes një editoriali të përbashkët të publikuar në median gjermane një formulë të re për integrimim në BE, ku Shqipëria dhe Serbia të bëheshin anëtare pa të drejtë vote. Kjo ide shkaktoi një seri reagimesh, kundërshti nga Brukseli dhe disa nga shtetet kryesore të Unionit, por së fundmi ishte kancelari gjerman, Merz, që e propozoi si formulë në rastin e Ukrainës, edhe pse Kievi nuk është dakort me një “anëtarësim pa të drejtë vote”.
Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiç, thotë se qasja e fundit e Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit është e padrejtë dhe argumentoi se rregullat e lojës kanë ndryshuar që kur Serbia nisi negociatat e anëtarësimit në vitin 2014.
“BE-ja po ndryshon qëndrimin e saj ndaj zgjerimit dhe është e qartë se kjo po bëhet një temë gjithnjë e më e nxehtë,” tha Ana Brnabiç, presidente e Kuvendit Kombëtar të Serbisë dhe ish-kryeministre, gjatë Forumit GLOBSEC në Pragë.
“Kur ne e nisëm këtë proces në vitin 2014, kishte një harmonizim gradual me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, dhe kërkohej që të harmonizoheshe 100 për qind vetëm para hyrjes në BE. Tani këto rregulla të lojës kanë ndryshuar, por unë nuk mendoj se kjo është e drejtë,” tha ajo.
Serbia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2012 dhe hapi negociatat për kapitujt e harmonizimit me bllokun evropian, të njohur si “klasterë”, në vitin 2014.
E pyetur nga Politico, nëse qëndrimi pro-Moskës i Serbisë po e komplikon procesin e anëtarësimit në BE, Brnabiç u përgjigj se “kjo sigurisht që nuk na e lehtëson situatën, gjë që është më se e qartë, pasi ne nuk kemi hapur asnjë klaster të ri në procesin e integrimit evropian që nga dhjetori i vitit 2021.”
Ndërkohë, vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë bërë përparim në negociatat e tyre për anëtarësim në BE, negociatat e Serbisë kanë ngecur. Por sipas Brnabiç, kjo ka ndodhur sepse Serbia nuk është “plotësisht e harmonizuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”.
Ish-kryeministrja tha gjithashtu se narrativa për prapakthim demokratik në Serbi është e padrejtë dhe pretendoi se vendi po veçohet për të njëjtën arsye.
“Pamë, për shembull, në mënyrë interesante, përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave të ujit kundër protestuesve në Shqipëri, por askush nuk tha asnjë fjalë,” tha Brnabiç, duke iu referuar protestave të fundit të udhëhequra nga opozita që përfunduan me përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Në vijim ajo shtoi “dhe pse ndodh kjo? Sepse Shqipëria është harmonizuar 100 për qind me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, dhe më pas ju [BE-ja] mbyllni njërin sy ndaj çdo gjëje.
Ndërsa në rastin e Serbisë, shtyhen narrativa të rreme në një masë të konsiderueshme dhe aplikohen standarde të ndryshme”.
Kryeministri Edi Rama prej kohësh ndjek një politikë që në këmbim të mbështetjes ndërkombëtare pranon gjithçka që i kërkohet, ose zbaton çdo porosi që jepet, pavarësisht se në politikën e brendshme shfaqet agresiv dhe shpërfillës. Kjo ka bërë që të instalojë atë që konsiderohet si “regjim autokratik” duke vendosur shpesh nota barazie me atë që Aleksandar Vuçiç ka instaluar në Serbi apo Erdogan në Turqi. /Pamfleti/