Politike
Shqipëria merr dritën jeshile për fazën e mbylljes së kapitujve me BE, çfarë ndodhi në Bruksel
Më 26 maj 2026, në Bruksel u zhvillua Konferenca e 8-të Ndërqeveritare në nivel ministror mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, një moment me rëndësi të veçantë në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga kryeministri Edi Rama dhe përfshiu ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha; ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren, Majlinda Dhuka; ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari; ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu; ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si dhe anëtarë të ekipit negociator.
Konferenca mirëpriti dhe mbështeti raportin e Komisionit Evropian mbi Piketat e Ndërmjetme (IBAR), sipas të cilit Shqipëria ka arritur një nivel të mjaftueshëm progresi në Grupkapitullin 1 “Themeloret”. Në të njëjtën kohë, u miratua edhe Pozicioni i Përbashkët i Bashkimit Evropian për piketat mbyllëse të këtij grupkapitulli.
Ky zhvillim konsiderohet një moment historik në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Sipas deklaratës zyrtare, ky progres përbën njohje të reformave të ndërmarra nga Shqipëria në fusha kyçe, si forcimi i shtetit të së drejtës, konsolidimi i qeverisjes demokratike, reforma në drejtësi, rritja e standardeve të sigurisë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe forcimi i llogaridhënies institucionale.
Këto reforma cilësohen si themeli i çdo demokracie funksionale dhe baza mbi të cilën ndërtohet vizioni për Shqipërinë europiane.
Rezultatet e konferencës konsolidojnë më tej rrugëtimin europian të vendit, forcojnë besimin e partnerëve europianë në kapacitetet institucionale dhe vullnetin politik të Shqipërisë, si dhe konsiderohen një investim i rëndësishëm drejt realizimit të objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Shqipëria është vendi i parë në procesin aktual të zgjerimit që arrin këtë etapë sipas metodologjisë së re të Bashkimit Europian, çka i hap rrugën fazës pasuese të negociatave, asaj të mbylljes së kapitujve.
Në deklaratë theksohet se faza e ardhshme do të kërkojë angazhim më të madh, koordinim më efikas ndërinstitucional dhe intensifikim të reformave nga të gjitha strukturat negociatore.
Gjithashtu, nënvizohet se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të përmbushur detyrimet që lidhen me mbylljen e kapitujve dhe avancimin e pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Në përfundim, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përgëzoi ekipin negociator dhe të gjithë personat e përfshirë në proces, ndërsa shprehu mirënjohje ndaj partnerëve europianë, Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, ekipit të saj, Presidencës qipriote dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.