Bota
“Ose do të sillet si të tjerët, ose do ta godasim”/ Teherani reagon ndaj kërcënimeve të Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar drejtpërdrejt Omanin me bombardime nëse vendi vazhdon planet për të kontrolluar së bashku me Iranin Ngushtica e Hormuzit, ndërsa Teherani i ka cilësuar deklaratat e tij si “të rrezikshme” dhe “kërcënuese”.
Trump deklaroi gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë se: “Omani do të sillet si të gjithë të tjerët, ose do të na duhet ta godasim”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ministria e Jashtme e Iranit reagoi ashpër ndaj deklaratës së presidentit amerikan. Zëdhënësi i saj, Esmail Baghaei, tha se kërcënimet ndaj Omanit përbëjnë “shkelje të parimit themelor të ndalimit të përdorimit të forcës” dhe një “normalizim të frikshëm të frikësimit në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Sipas Baghaeit, Omani ka luajtur prej vitesh një rol konstruktiv dhe ndërmjetësues në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Kërcënimet e Trump erdhën pas raportimeve për bisedime mes Teheranit dhe Muskatit lidhur me vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme në botë për transportin e naftës.
“Ngushtica do të jetë e hapur për të gjithë. Askush nuk do ta kontrollojë atë. Ne do ta mbikëqyrim”, deklaroi Trump.
Oman, i cili prej dekadash mban marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara, ka shërbyer shpesh si ndërmjetës në konfliktet rajonale dhe në përpjekjet diplomatike mes Perëndimit dhe Iranit.