Politike
‘Racizmi’ i sheqerosur i Unionit/ Bashkimi Evropian rishkruan rregullat e zgjerimit për antarët e rinj
Komisioni Evropian konfirmoi se po shqyrton mekanizma më të fortë mbrojtës në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Bashkimi Evropian po hyn në një nga debatet më delikate të zgjerimit të tij: si të pranojë anëtarë të rinj pa rrezikuar paralizën e vendimmarrjes në një Union që mund të numërojë mbi 35 shtete deri në fund të dekadës.
“Kur bëhet fjalë për anëtarësimin e shteteve të ardhshme, objektivi ynë është i qartë: sapo të përmbushen të gjitha kushtet, të gjitha vendet kandidate bëhen anëtare të plota të Bashkimit Evropian. Anëtare me të drejta dhe detyrime të barabarta”, deklaroi një zëdhënës Komisioni Evropian
Megjithatë, Brukseli pranon se po shqyrton mënyra për të forcuar garancitë pas anëtarësimit.
“Në këtë kontekst, po reflektojmë mbi mënyrën sesi traktatet e ardhshme të anëtarësimit mund të përmbajnë mekanizma mbrojtës më të fortë. Objektivi është i thjeshtë: të sigurohet që angazhimet e marra gjatë negociatave, veçanërisht ato që lidhen me ‘Themeloret’, të respektohen edhe pas anëtarësimit”, thuhet në përgjigje.
Debati po zhvillohet paralelisht me diskutimet joformale mbi një tjetër ide që po fiton terren në disa qarqe evropiane: kufizimin e përkohshëm të së drejtës së vetos për anëtarët e rinj.
Por nëse merr formë, do të propozohet vetëm për një periudhë të caktuar, sepse ligjërisht nuk lejohet që vetoja t’u hiqet anëtarëve përgjithmonë. Kjo do të ishte në kundërshtim me traktatet e Bashkimit Evropian, të cilat bazohen në barazinë e të gjithë anëtarëve.
Pikërisht për këtë arsye, argumenti se një formulë e tillë do të krijonte anëtarë “të dorës së dytë” mbetet i diskutueshëm.
Në qendër të debatit qëndron përvoja e Bashkimit Evropian me Hungarinë, e cila ka përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar në disa raste vendime strategjike, përfshirë paketat e ndihmës për Ukrainën.
Për shumë diplomatë evropianë, zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe potencialisht Ukrainës kërkon mekanizma të rinj që ruajnë funksionalitetin e unionit pa cenuar parimin e barazisë mes shteteve.
Për Shqipërinë, debati vjen në një moment të favorshëm. Pas përmbushjes së benchmark-eve të ndërmjetme për grup-kapitullin “Themeloret”, vendi ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve negociues. Por ndërsa Tirana i afrohet anëtarësimit, Brukseli po përpiqet të përcaktojë jo vetëm se kush do të hyjë në Bashkimin Evropian, por edhe se si do të funksionojë vetë Unioni pas zgjerimit të ardhshëm