Politike
PD-ja hyn në betejën e studentëve, Berisha përkrah protestën kombëtare të studentëve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se PD-ja do të mbështesë protestën kombëtare të së shtunës, të thirrur nga studentët dhe gjimnazistët kundër qeverisë së Edi Ramës. Gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë, ai u kërkoi strukturave demokrate të angazhohen për mobilizimin e qytetarëve dhe të sigurojnë pjesëmarrje sa më të gjerë nga të gjitha qytetet e vendit.
Berisha theksoi se opozita do të jetë aktive në mbështetje të të rinjve dhe pedagogëve, duke kërkuar solidarizimin e shkollave dhe gjimnazeve në të gjithë Shqipërinë. Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e anëtarëve të Forumit Rinor të PD-së dhe pjesëmarrjen e pedagogëve në protestat e fundit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u kërkoi drejtuesve dhe koordinatorëve të partisë të punojnë për rezultate konkrete në organizimin e protestës. Ai deklaroi se PD-ja e konsideron tubimin një revoltë studentore, por nënvizoi se partia do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për ta mbështetur.
“Protesta e studentëve dhe të rinjve gjimnazistë është një protestë që ne e mbështesim totalisht dhe e mbrojmë atë”, u shpreh Berisha, duke përmendur edhe rolin e strukturave të PD-së në mbështetjen e pedagogëve dhe sindikatës së arsimit të lartë.
Kreu i demokratëve kritikoi gjithashtu ata që, sipas tij, përpiqen të ndikojnë ose të dobësojnë protestën, duke i akuzuar për qëndrime kontradiktore ndaj kërkesës për largimin e kryeministrit. Këto deklarata i shoqëroi me akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës, të cilën e cilësoi si “narkoshtet”.
Berisha e cilësoi të shtunën një ditë vendimtare për mobilizimin qytetar dhe u bëri thirrje mbështetësve të PD-së që t’u bashkohen studentëve. Ai deklaroi se synimi është një pjesëmarrje masive në protestën kombëtare, të cilën opozita kërkon ta kthejë në një demonstrim të fortë kundër qeverisë.