Connect with us

Kosova

Nga kritikat ndaj SHBA-së te elozhet për Trumpin: Transformimi i Vuçiçit në një servil të rafinuar

Aleksandar Vuçiq po e luan sërish një nga rolet e tij më të njohura, politikanin që përshtat gjuhën sipas fuqisë që i duhet në moment. Këtë herë, objekti i kujdesit është Donald Trump, jo si simbol i Amerikës, por si instrument i një stili politik që Vuçiq e kupton mirë, transaksional, i fokusuar te “fitimi”, alergjik ndaj moralizimit dhe i prirë të anashkalojë burokracitë tradicionale.
Në opinionin e tij për Fox News, Vuçiq nuk shkon te fjalori klasik perëndimor i “vlerave” (reforma, demokraci, sundim i ligjit). Ai shkoi te fjalori që i pëlqen Trumpit, përfitimi i prekshëm. Serbia, tha ai, i ofron SHBA-së “thellësi strategjike”, “stabilitet politik” dhe një qeveri “të orientuar drejt zbatimit, e jo ideologjisë”. Mesazhi është i thjeshtë: na përdorni, sepse jemi nyje e rëndësishme.
Vuçiq nënvizoi gatishmërinë e Trumpit dhe rrethit të tij “ta dëgjojnë seriozisht dhe pa paragjykime qëndrimin e Serbisë”, madje kujtoi takimet e tij të gjata në Shtëpinë e Bardhë ku, sipas tij, “nuk u shpërfill”. Vuçiq përpiqet të prodhojë një realitet politik: idenë se Serbia ka kanal të drejtpërdrejtë me Uashingtonin, pa filtrat e Brukselit dhe pa leksionet morale që zakonisht shoqërojnë raportin me Perëndimin.
Kjo është edhe arsyeja pse ai e vendos Serbinë në kontrast me Evropën. Ai e përshkruan establishmentin evropian si të hutuar dhe armiqësor ndaj Trumpit, ndërsa Serbia sipas tij ka entuziazëm “të pashtrembëruar” për udhëheqjen e presidentit amerikan.
Pra, njëkohësisht, Vuçiq kërkon t’i flasë Trumpit si partner pragmatik dhe t’i shesë Serbisë një rol “strategjik” në Evropën Juglindore, por pa e hequr kurrë nga arsenali i brendshëm narrativën se Perëndimi vepron sipas “ligjit të më të fortit”. Ai e përdor këtë dyzim për të menaxhuar dy fronte, jashtë, për të ulur presionin dhe për të hapur kanale brenda, për të mbajtur gjallë ndjeshmërinë e 1999-ës dhe idenë se Serbia duhet të jetë vigjilente, e armatosur dhe e vetë-mjaftueshme.
Në këtë realitet, Vuçiqi kërkon një formë “sigurimi”, të mos mbetet peng vetëm i Lindjes dhe njëkohësisht të mos dorëzohet plotësisht në Perëndim. Trumpi, në këtë skemë, shfaqet si mundësia e një marrëdhënieje më pak morale dhe më shumë “pazari”.

Advertisement