✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Papa Leone XIV vijon vizitën në Francë, 700 mijë besimtarë marrin pjesë në meshën në Paris

Papa Leone XIV vijon vizitën e tij apostolike në Francë. Në ditën e dytë të qëndrimit në vend, të shtunën më 26 shtator, kreu i Kishës Katolike zhvilloi disa takime në Paris, përpara se të udhëtonte drejt Lourdes, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik.

Gjatë paradites, Papa vizitoi qendrën e pritjes “Maison Bakhita”, ku u takua me komunitetin e migrantëve. Më pas, ai zhvilloi një takim me katekumënët, të rritur që po përgatiten për të marrë sakramentin e pagëzimit.

Gjatë takimit në “Maison Bakhita”, Leone XIV iu referua Shën Bakhitës, ish-skllaves sudaneze që u shpall shenjtore, duke vënë në pah rolin e grave në ndërtimin e një “qytetërimi të dashurisë”.

Papa falënderoi personat që punojnë në qendër dhe theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave ku njerëzit mund të gjejnë mbështetje, besim dhe shpresë.

“Askush nuk është aq i varfër sa të mos ketë diçka për të dhënë; askush nuk është aq i pasur sa të mos ketë diçka për të marrë”, u shpreh Leone XIV.

Papa: “Jam i befasuar nga numri i të rriturve që kërkojnë pagëzimin”

Më pas, Papa u takua me katekumënët në Institutin Katolik të Parisit. Ai tha se ishte i befasuar nga numri i njerëzve që po i afrohen sërish besimit, veçanërisht nga numri i të rriturve që kërkojnë sakramentet e inicimit të krishterë.

Leone XIV e cilësoi këtë dukuri si veçanërisht domethënëse në një shoqëri franceze të karakterizuar nga një nivel i lartë sekularizimi.

Sipas të dhënave të Konferencës Ipeshkvnore Franceze, gjatë Pashkëve të këtij viti në Francë u pagëzuan 21,386 katekumënë, prej të cilëve 13,234 të rritur dhe 8,152 adoleshentë.

Numri i përgjithshëm shënoi një rritje prej rreth 20% krahasuar me vitin 2025. Rritja ishte rreth 28% te të rriturit dhe rreth 10% te adoleshentët.

Papa u bëri thirrje komuniteteve katolike që këtë prirje ta shoqërojnë me formim të përshtatshëm shpirtëror.

700 mijë besimtarë në Place de la Concorde

Në orët e pasdites, Leone XIV kremtoi meshën në Place de la Concorde, ku sipas të dhënave të raportuara morën pjesë rreth 700 mijë besimtarë.

Turma të mëdha besimtarësh u mblodhën përgjatë Champs-Élysées, nga Harku i Triumfit deri në Place de la Concorde, duke pritur Papën me flamuj dhe himne.

Gjatë meshës, Leone XIV iu drejtua veçanërisht të rinjve, duke u shprehur: “Ju jeni Kisha e sotme”.

Në fjalën e tij, Papa i ftoi katolikët francezë që të mos e jetojnë besimin vetëm në mënyrë private, por ta shndërrojnë atë në një burim shprese për shoqërinë.

“Mos e mbani besimin në Jezu Krishtin vetëm për veten tuaj, por lëreni të rrjedhë për të ushqyer dhe mbushur me shpresë njerëzit që takoni”, tha ai.

Pas Parisit, Papa udhëton drejt Lourdes

Pas përfundimit të programit në Paris, Papa Leone XIV u nis drejt Lourdes, në jugperëndim të Francës.

Atje ai do të vizitojë shenjtëroren e famshme mariane dhe do të drejtojë lutjen pranë shpellës ku, sipas traditës katolike, Shën Bernadeta Soubirous përjetoi shfaqjet e Virgjëreshës Mari.

Vizita në Lourdes përbën një nga momentet kryesore të udhëtimit apostolik të Papës në Francë.

Në ceremoninë në Paris morën pjesë edhe një numër personalitetesh franceze, mes tyre ish-presidenti Nicolas Sarkozy, presidenti i republikanëve Bruno Retailleau, presidentja e rajonit Île-de-France Valérie Pécresse, ish-kryeministri François Fillon, Gabriel Attal, Dominique de Villepin dhe Eric Zemmour.

Presidenti Emmanuel Macron nuk mori pjesë në meshën e zhvilluar nga Papa, pasi Presidenca franceze kishte njoftuar më herët se ai nuk do të ishte i pranishëm në meshën e kësaj vizite.

Advertisement