✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Shisnin drogë në shkollat/ Identifikohen 52 shpërndarës, mes tyre furnitor dhe ish-polici

Pas katër muajsh hetime, Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike, i cili kishte në fokus edhe nxënësit e shkollave të kryeqytetit.

Sipas hetimeve, droga shpërndahej në afërsi të disa institucioneve arsimore, mes tyre gjimnazet “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Çajupi”, si dhe Gjimnazi Profesional Ekonomik. Në aktivitetin e dyshuar përfshiheshin edhe të mitur.

Pamjet e siguruara nga policia tregojnë se shpërndarësit përdornin monopatina për t’iu afruar institucioneve të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, ku dyshohet se kryenin dorëzimin e dozave të drogës.

Për të shmangur kontrollet e policisë, shpërndarja dyshohet se kryhej edhe përmes taksive dhe shërbimeve të delivery-t.

Mes personave të arrestuar është edhe Ferit Xhani, i njohur me nofkën “Luzi”, i cili dyshohet se kishte rolin e furnizuesit të grupit. Sipas të dhënave të hetimit, Xhani rezulton me precedentë penalë të mëparshëm për vepra penale që lidhen me drogën dhe plagosjen.

Në dosje përmendet edhe ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Engrid Henaj, i cili dyshohet se kishte një rol në aktivitetin e grupit. Henaj ishte përjashtuar më herët nga radhët e policisë, pasi ishte arrestuar nën dyshimin për vjedhje.

Në total, gjatë hetimeve janë identifikuar 52 persona të dyshuar si shpërndarës. 14 prej tyre janë ende në kërkim, ndërsa 7 të tjerë janë arrestuar gjatë periudhës hetimore.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 kilogram e 75 gramë heroinë, 1 kilogram e 265 gramë kokainë dhe 685 gramë kanabis.

Advertisement