Kosova
Thaçi dhe 3 ish-liderët e UÇK-së ‘Qytetarë Nderi’ të Tiranës, Komisioni Artistik-Kulturor miraton propozimin e Veliajt
Komisioni Artistiko-Kulturor i Bashkisë së Tiranës ka miratuar propozimin për shpalljen “Qytetar Nderi” të Tiranës të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Propozimi është paraqitur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe është miratuar unanimisht nga anëtarët e komisionit.
Nisma vjen në një periudhë të ndjeshme për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët po përballen me një proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas motivacioneve të propozuara, vlerësimi lidhet me kontributin e tyre në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik dhe procesin e pavarësimit të Kosovës, si dhe me lidhjet e tyre me Shqipërinë dhe veçanërisht me Tiranën.
Për Hashim Thaçin, motivacioni përmend kontributin në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik dhe rrugëtimin drejt lirisë e pavarësisë, si dhe lidhjen me Tiranën.
Për Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, motivacionet lidhen me kontributin e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe me procesin drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, si dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ndërsa për Jakup Krasniqin, motivacioni thekson kontributin në luftën dhe përfaqësimin politik të Kosovës, si dhe lidhjen e tij të hershme me Tiranën.
Pas miratimit nga Komisioni Artistiko-Kulturor, propozimi do të vijojë procedurat institucionale për shqyrtim dhe vendimmarrje nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Në deklarimet e tij lidhur me nismën, kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se “Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë”.
Në këtë fazë bëhet fjalë për një propozim të miratuar nga komisioni përkatës dhe jo ende për një vendim përfundimtar të Këshillit Bashkiak.