Bota
Irani kërcënon Trumpin: Na kthe 24 miliardë dollarë ose do korrësh vetëm luftë
Një marrëveshje e mundshme paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit varet nga pranimi i administratës Trump për të liruar 24 miliardë dollarë asete iraniane të ngrira, tha për CNN një zyrtar i lartë iranian, duke paralajmëruar se SHBA-ja do të “hynte në një korridor të errët” nëse do të rifillonte luftimet.
“Negociatat kanë ngecur dhe Presidenti amerikan Donald Trump duhet ta zgjidhë këtë ngërç,” -Deklaroi Mohsen Rezaei, këshilltar ushtarak i Liderit Suprem Ajatollah Mojtaba Khamenei, në një intervistë ekskluzive për CNN në Teheran, dhe sipas tij, “topi është në fushën e Trumpit”.
Sipas raportimeve, Irani ka kërkuar lirimin e 12 miliardë dollarëve nga fondet e ngrira menjëherë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të përkohshme me SHBA-në, si dhe 12 miliardë dollarë të tjerë në një fazë të mëvonshme.
Zyrtarët amerikanë shqetësohen se çdo zhbllokim fondesh në këtë fazë mund të heqë një nga mjetet kryesore të presionit ndaj regjimit iranian. Trump ka kërkuar që çdo marrëveshje të duket dukshëm më e fortë se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe të shmangë çdo veprim që mund të interpretohet si dorëzim i “paletave me para”, një shprehje që ai e ka përdorur për të kritikuar vendimin e ish-presidentit Barack Obama për t’i dhënë Teheranit kompensim financiar.
Në një intervistë të rrallë për CNN, Rezaei dha detaje mbi mënyrën e të menduarit brenda qarqeve strategjike vendimmarrëse të Iranit lidhur me vizionin e vendit pas luftës, fatin e Ngushticës së Hormuzit dhe mënyrën se si Irani mund të veprojë nëse sulmohet sërish.
Deklaratat e tij kanë peshë, pasi ai mbetet i lidhur ngushtë me strukturat e sigurisë së Iranit dhe konsiderohet gjerësisht si një figurë pranë liderit aktual suprem, i cili nuk është shfaqur në publik që prej plagosjes në një sulm izraelit ku u vra babai i tij në ditën e parë të luftës.
Rezaei gjithashtu paralajmëroi se Irani do ta “zgjerojë luftën” përtej Gjirit Persik nëse SHBA-ja rifillon konfliktin, duke shtrirë potencialisht operacionet ushtarake nga Ngushtica e Hormuzit deri në Oqeanin Indian, Ngushticën Bab al-Mandab, Detin e Kuq dhe Detin Mesdhe.
Rezaei përsërit pretendimin për sovranitet mbi Ngushticën e Hormuzit, teksa tha se Irani dhe Omani kanë sovranitet mbi këtë rrugë ujore strategjike, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë para luftës, dhe se për këtë arsye do ta menaxhojnë së bashku.
Në intervistën për CNN, Rezaei shprehu dyshime për qëndrueshmërinë e një marrëveshjeje bërthamore me Trumpin, duke përmendur tërheqjen e tij nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe atë që ai e quajti strategji të “paqartësisë” në negociata.
Nëse bisedimet dështojnë, Rezaei tha se Irani është i përgatitur për një pushtim të mundshëm amerikan të territorit të tij.