Connect with us

Politike

Marta Kos: Shqipëria po hyn në fazën kyçe të negociatave me Bashkimin Evropian

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke theksuar se vendi ka hyrë në një fazë kyçe të negociatave me Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për “European Western Balkans”, Kos u shpreh se Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, po avancon qartë drejt fazave të reja të anëtarësimit.
Duke iu referuar ecurisë së negociatave, Komisionerja theksoi se shtetet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian kanë vlerësuar se Shqipëria ka përmbushur kërkesat e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit, një moment që ajo e cilësoi si shumë të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit.
Sipas saj, Shqipëria është bërë vendi i dytë kandidat, pas Malit të Zi, që arrin këtë fazë të procesit të negociatave. Megjithatë, ajo paralajmëroi se sfidat më të mëdha janë ende përpara.
Kos foli edhe për konceptin e integrimit gradual të vendeve kandidate në strukturat evropiane, duke argumentuar se qytetarët duhet të ndiejnë përfitimet e afrimit me Bashkimin Evropian shumë përpara anëtarësimit të plotë.
Sipas saj, parimi i meritës mbetet thelbësor në procesin e zgjerimit, ndërsa vendet kandidate duhet të vazhdojnë të fokusohen te sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe pluralizmi mediatik.
Deklaratat e Komisioneres vijnë në një moment kur Shqipëria synon të avancojë më tej në negociatat me BE-në dhe të nisë procesin e mbylljes së kapitujve negociues, një etapë vendimtare në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Kos sakaq ka paralajmëruar vendet e Ballkanit Perëndimor se ritmi i ngadaltë i reformave mund të ndikojë drejtpërdrejt në përfitimin e fondeve nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes.
Kos theksoi se Bashkimi Evropian ka më shumë se dyfishuar mbështetjen financiare për rajonin përmes Planit të Rritjes dhe Instrumentit për Reforma dhe Rritje, por zbatimi i reformave mbetet nën pritshmëri.
Kos foli edhe për debatin mbi reformimin e procesit të zgjerimit, duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian po shqyrton modele të reja integrimi gradual për vendet kandidate.
Sipas saj, situata aktuale gjeopolitike kërkon qasje të reja, ndërsa qytetarët e vendeve kandidate duhet të ndiejnë përfitimet e afrimit me BE-në edhe para anëtarësimit të plotë.
Megjithatë, ajo nënvizoi se parimi i meritës do të mbetet i pandryshuar dhe se sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe pluralizmi mediatik do të vazhdojnë të jenë kriteret kryesore për avancimin drejt Bashkimit Evropian.

Advertisement