Politike
Filmi Kapedani/ Në protestë, fondamentalistë, marksistë-leninistë dhe qarqe të huaja antishqiptare
Shqipëria ndodhet përballë një shansi historik për t’u shndërruar në një destinacion të turizmit elitar, thotë ish-deputeti demokrat Edmond Spaho. Në një intervistë për Tema, Spaho thekson gjithashtu se dy projektet madhore të nivelit më të lartë ndërkombëtar, të planifikuara në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, rrezikojnë të mbeten peng i agjendave të errëta.
Spaho i sheh këto kundërshti si një përpjekje të orkestruar nga qarqe me qëllime antishqiptare. Sipas tij, pretendimet për dëmtimin e natyrës dhe mungesën e transparencës shërbejnë thjesht si pretekste për të bllokuar zhvillimin.
“Ata që do të investojnë nuk kanë asnjë interes të dëmtojnë mjedisin. Përkundrazi, interesi i tyre është që turizmi të bashkëjetojë në harmoni me natyrën, pasi për këtë janë të specializuar”, shprehet ai, duke hedhur poshtë shqetësimet e ngritura.
Sa i përket mungesës së transparencës, ish-nënkryetari i Kuvendit zgjedh gjithashtu të jetë i rezervuar në kritikat ndaj qeverisë. Ai argumenton se dhënia e lejes së zhvillimit është pikënisja e gjithë procesit, e cila më pas pasohet nga procedurat e nevojshme studimore, vlerësimet mjedisore dhe seancat dëgjimore me komunitetin lokal e të tjera.
Por, vëmendja e Spahos përqendrohet te natyra e protestave. Duke iu referuar ditëve të para të tubimeve, ku mes protestuesve vihen re jo vetëm ambientalistë, por edhe qytetarë me kundërshti të thella ndaj qeverisjes, ai e përshkruan turmën si një konglomerat.
“Në këto protesta shoh një përzierje rrymash, që nga fondamentalistë të ndryshëm, e deri te marksistë-leninistë”, thekson Spaho, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi drejtuesit dhe programin e vërtetë të këtyre lëvizjeve.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për kauza të pastra, por për lëvizje të nxitura nga qarqe të huaja antishqiptare që duan të pengojnë hyrjen e kapitalit perëndimor në vend.
Në këtë linjë, ai lëshon një thirrje të drejtpërdrejtë për ish-kolegët e tij demokratë dhe opozitën në tërësi: të mbështesin fuqimisht investimet amerikane në Zvërnec dhe Sazan.
Spaho kërkon distancim ndaj protestave që sipas tij po e dëmtojnë këtë mundësi zhvillimi, duke i kërkuar opozitës t’i qëndrojë besnike qëndrimeve të saj fillestare në mbështetje të projektit amerikan.
Spaho thotë veç të tjerash se protestat e nisura prej një jave duken edhe si një faktor që po dëmton drejtpërdrejt procesin e integrimit në BE.