Connect with us

Politike

Berisha sfidon protestuesit: PD-ja mban vulën e tubimeve më të fuqishme kundër Ramës

Lideri demokrat Sali Berisha ka dalë me një sqarim zyrtar në lidhje me protestën qytetare që po zhvillohet prej tetë ditësh në Tiranë, ku kërkohet tërheqja e projektit për Zvërnecin, largimi i Edi Ramës dhe nuk kanë munguar edhe thirrjet për ikjen e Berishës gjithashtu nga drejtimi i opozitës.

Nisur nga shkrimet dhe komentet e mediave për qëndrimet e Partisë Demokratike ndaj protestës së fuqishme rinore e qytetare, Sali Berisha thotë se Partia Demokratike nuk u ka kërkuar asnjëherë anëtarëve dhe mbështetësve të saj që të mos e mbështesin apo të mos shkojnë në protestë, pavarësisht disa thirrjeve kundër vetë asaj.

“Partia Demokratike është forca kryesore politike opozitare që këto vitet e fundit ka qëndruar fuqishëm dhe ka paguar çmimin më të lartë në përballjen me narkoregjimin e Edi Ramës, këtij “Pashiqi” shqipfolës – por edhe me mbështetësit ndërkombëtarë të regjimit të tij”, shkruan Sali Berisha.

Lideri demokrat thekson se forca politike që ai drejton mbështet fuqimisht “largimin e regjimit të paligjshëm e narkodiktatorial të Edi Ramës, kreut të organizatës kriminale më të rrezikshme në Evropë, kundër të cilit ajo organizoi 8 protesta të fuqishme si kryengritje paqësore kombëtare.

Kurse lidhur me mbështetjen e kërkesave të protestës për një sërë ligjesh që lidhen me investimet strategjike, Korporatën e Investimeve, Partneritetet Publiko-Private (PPP), Paketën dhe Portën e Maleve, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore, ai thotë se të gjitha ato janë kundërshtuar me forcën më të madhe nga PD-ja dhe grupi i saj parlamentar.

Sali Berisha thekson se Partia Demokratike mbështet plotësisht pesë kërkesat e drejta të përfaqësuesve të Lëvizjes së fuqishme rinore e qytetare dhe i kërkon Edi Ramës të heqë dorë nga kërcënimet, arroganca, përçmimi dhe etiketimet e protestuesve.

Pavarësisht se është deklaruar pro protestës, komentuesit nuk e kanë kursyer liderin demokrat, duke vështruar me komente kundër tij, ndërsa pakënaqësia është shfaqur dukshëm edhe në sheshin e protestës; qytetarët kërkojnë që bashkë me Edi Ramën, të ikë edhe Sali Berisha.

Advertisement