Connect with us

Politike

Plani i Bejkos për protestën: Dy muaj organizim, në shtator përballja finale me qeverinë

Roland Bejko propozon një fazë të re për protestën qytetare: organizim në çdo qytet, dialog me qytetarët dhe një afat të qartë për qeverinë. Sipas tij, beteja nuk fitohet vetëm me tubime në Tiranë, por me ndërtimin e një lëvizjeje kombëtare që mund të përshkallëzohet në vjeshtë.

I ftuar në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV, Roland Bejko ka paraqitur një strategji të re për vijimin e protestës, duke argumentuar se lëvizja qytetare duhet të kalojë nga faza e manifestimeve në fazën e organizimit politik dhe shoqëror.

Sipas Bejkos, hapi i parë duhet të jetë vendosja e një afati ndaj qeverisë.

“Duhet t’i thuhet: ke dy apo tre muaj kohë. Korrik, gusht. Takohemi në shtator. Nëse deri atëherë nuk janë bërë ndryshimet që kërkon shoqëria, atëherë nuk do të ketë më vetëm një protestë në Tiranë, por një grevë të përgjithshme në të gjithë vendin”, tha ai.

Por sipas tij, për ta arritur këtë, protesta ka nevojë për një mekanizëm të ri organizimi. Bejko propozon krijimin e një grupi organizator kombëtar, i cili gjatë muajve të verës duhet të shkojë në çdo qark dhe të ndërtojë një rrjet qytetarësh që do të lidhë protestën e Tiranës me gjithë vendin.

“Problemi është që në rrethe ka njerëz, ka grupe qytetarësh, por mungon organizimi. Duhet shkuar tek ata dhe duhet bërë një dialog i gjerë qytetar, jo mbi ideologjinë, por mbi demokracinë”, u shpreh Bejko.

Sipas tij, forca e protestës qëndron pikërisht tek aftësia për të krijuar një bashkim përtej partive politike.

Ai argumentoi se kauza duhet të jetë e hapur për të gjithë qytetarët që ndihen të pakënaqur me mënyrën e qeverisjes, pavarësisht bindjeve politike.

“Duhet të bashkohen ata që janë pa parti, ata që janë me parti dhe të gjithë ata që mendojnë se ka një problem me mënyrën se si funksionon demokracia”, tha Bejko.

Strategjia e propozuar prej tij parashikon që muajt e verës të përdoren për organizim, ndërsa shtatori të jetë momenti i përballjes së re politike.

Sipas Bejkos, nëse protesta arrin të ndërtojë këtë strukturë, atëherë në vjeshtë mund të ketë një përshkallëzim të madh, me përfshirjen edhe të studentëve dhe kategorive të tjera shoqërore.

Mesazhi kryesor i strategjisë së tij është se protesta nuk duhet të mbështetet vetëm te numri i njerëzve në shesh, por te aftësia për të krijuar një organizim qytetar afatgjatë, i cili prodhon presion politik dhe detyron institucionet të reagojnë.

Advertisement