Connect with us

Politike

Mustafa Nano “fundos” protestën: Shumë idealizëm, por pa dije, pa lider dhe pa karizëm

Analisti Mustafa Nano ka lëshuar kritika të forta ndaj mënyrës se si është organizuar dhe drejtuar protesta, duke deklaruar se entuziazmi i fillimit nuk u shndërrua dot në një lëvizje të qëndrueshme politike dhe qytetare.

I ftuar në një intervistë nga gazetari Sebastian Zonja në MCN TV, Nano u shpreh se në momentet e para protesta krijoi përshtypjen se një ndryshim i madh mund të ishte afër. Sipas tij, qytetarët u njohën me njëri-tjetrin, u bashkuan dhe besuan se më në fund “diçka po ndodhte”.

Por, sipas analistit, gjithçka u zbeh shumë shpejt.

Nano tha se protesta mund të jetë marrë në dorë nga njerëz të tjerë, ndërsa ngriti dyshime për mungesë lidershipi dhe përplasje të brendshme mes organizatorëve.

“Ka një grup njerëzish që kanë idealizëm dhe janë dhënë, por nuk kanë know-how, nuk kanë dije dhe nuk kanë karizëm”, ishte në thelb kritika e tij ndaj drejtuesve të lëvizjes.

Analisti shtoi se mungesa e eksperiencës nuk do të ishte domosdoshmërisht një problem, nëse organizatorët do të kërkonin këshilla nga njerëz që kanë njohuri dhe përvojë.

Sipas Nanos, problemi qëndron te fakti se protesta është zhvilluar si një proces i mbyllur, pa bashkëpunim dhe pa një strategji të qartë për ta kthyer zemërimin qytetar në një alternativë reale.

Deklarata e tij pritet të shkaktojë reagime mes protestuesve, pasi vë drejtpërdrejt në pikëpyetje aftësinë e organizatorëve për të udhëhequr një lëvizje që në fillim premtoi shumë, por më pas humbi vrullin.

I pyetur nëse do të pranonte të merrte pjesë në një forum për t’u dhënë mendime apo këshilla organizatorëve, Nano deklaroi se prej kohësh ka marrë vendimin të mos përfshihet më në forume, protesta apo aktivitete të tjera publike.

Megjithatë, mesazhi i tij ishte i qartë: protesta mund të ketë pasur njerëz me dëshirë dhe idealizëm, por pa lidership, dije dhe karizëm, entuziazmi nuk mjafton për të sjellë ndryshimin.

Advertisement