Connect with us

Aktualitet

‘Refuzova tre herë kërkesën për arrestimin e gjyshit të Edi Ramës’

Në Shqipërinë komuniste gjithçka ishte e përqendruar tek mendimi se çdo i deklasuar politik ishte një rrezik potencial për të nesërmen, prandaj gjithsecili prej tyre duhej të kalonte nëpër shkallët e thyerjes graduale, duke u implikuar me regjimin.

Aty, kuptohej dhe ndihej realisht ajo frika e së nesërmes abstrakte që e kishin brenda vetes dhe i shqetësonte të gjithë krerët e atij regjimi. Kishte shumë individë të gatshëm apo jo, që ishin me regjimin politik në Tiranë, të hedhur në luftë kundër të tjerëve. Kontigjentin për një sjellje të tillë, Sigurimi nuk e kishte pasur të vështirë që ta gjente sepse këta i kishte të gatshëm prej proceseve të gjata hetuesore.

Qemal Lame, ish-kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1982–1992, rrëfen për “Exclusive” me Monika Stafën në Top Channel rastin e 82 vjeçarit, Vlash Rama, gjyshi i kryeministrit Edi Rama.

Stafa: Ndalemi tek një personazh tjetër interesant të cilin ne e njohim shumë pak, por e njohim nëpërmjet intervistave të kryeministrit Rama. Është gjyshi i tij, Vlash Rama. Çfarë rreziku përbënte një 82 vjeçar si ai, në atë kohë?

Lame: Unë sa kisha filluar punë në hetuesi atëherë dhe më vjen drejtori i sigurimit të shtetit dhe më tha “kemi një rast, duam që të na mbështetësh për ta arrestuar.” I thashë që në rast se ka prova, unë për këtë punë jam, për të zbatuar ligjin jam. Silleni, i thashë. E sollën dosjen, e pashë, ishte 82 vjeç. Unë nuk e dija që ishte babai i Kristaq Ramës, se Edi ka qenë atëherë student, ka qenë 20 vjeç… .. Lexoj atëherë që, që në fëmijëri nuk ka patur ndonjë aktivitet të veçantë. Familja e kishte dërguar me dëshirën për të vazhduar studimet në Itali. Ai e kishte mendjen ashtu siç e thotë edhe vetë Edi, e kishte mendjen te femrat dhe te makinat. Ai i mori të gjithë lekët që i kishte dërguar familja nga banka dhe bleu një makinë të bukur dhe u kthye në Shqipëri. U kthye në Shqipëri dhe u bë shoferi i kryetarit të Bashkisë. Në një darkë ku vajti për vizitë tek mbreti, mbreti e kishte parë atë makinë të bukur dhe i kishte thënë, Qazim do ma japësh ta marr unë atë makinën? Nuk është e imja, tha, është e shoferit. Dhe e mori shoferin, mori dhe makinën pastaj. Dhe e ëma ka qenë e punësuar atje. Unë këto nuk i dija. Por më tërhoqi vëmendjen fakti një 82 vjeçar, konsiderohej element armik se ishte shofer i mbretit, ka aktivitet armiqësor, zhvillon propagandë, agjitacion propagandë, por nuk kishte asnjë të dhënë konkrete. Agjitacion propagandë ishte, unë kam qenë shofer me lartmadhninë thoshte ai. Fliste me atë zhargonin, gjuhën e zakonshme që ishte mësuar. Thoshte, unë kam kaluar mirë, nuk kam pasur probleme. .. Dhe insistohej në veprimtari armiqësore sepse mbështet të kaluarën dhe është element potencial me rrezikshmëri për kushtet e sotme. .. Ndërmjet tyre u goditën disa që ishin më të dukshëm për të tërhequr më shumë vëmendjen e popullit. Se në ’82 atëherë sidomos është periudha e vrasjes së Mehmet Shehut dhe e gjithë politika bëhej që të tregohej që Mehmet Shehu ka qenë armik, ka vrare veten e tij dhe të mbulohej gjithë prapaskena për vrasjen e tij. Dhe në këtë kuadër u kapën këto tipa deri tek Vlashi. Vlashi nuk kishte bërë gjë. Unë e ktheva, e thirra atë drejtorin e sigurimit të shtetit, i thashë nuk ka prova për këtë. Ne i gjejmë provat, më tha. I mori dosjet prapë. Tre herë më ka ardhur çështja për ta arrestuar dhe përfundimisht e kam refuzuar dhe nuk kam qenë dakord që të arrestohej, pa ditur këto lidhjet e tjera, por vetëm për një person 82 vjeç, pa rrezikshmëri shoqërore, që insistohej për ta arrestuar. Dhe kjo ka qenë në kuadrin e asaj filozofisë për të goditur persona më tipikë që të kishin frikë personat e tjerë.

Advertisement