Sport
Kristjan Asllani befason, mesfushori shqiptar drejt rivalëve të Interit
Kristjan Asllani mund të vazhdojë karrierën në Serinë A, por jo më me fanellën e Interit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është futur në listën e dëshirave të Sasuolos, që ka nisur kontaktet e para për të vlerësuar mundësinë e transferimit të 24-vjeçarit.
Klubi nga Emilia-Romanja po kërkon përforcime në repartin e mesfushës pas dëmtimit të rëndë të Ismael Kone, i cili pritet të mungojë për një periudhë të gjatë. Situata është komplikuar edhe më shumë nga largimi i mundshëm i Kristian Torshtved, duke e bërë afrimin e një mesfushori prioritet në këtë merkato.
Sipas “Sky Sport”, profili i Asllanit vlerësohet si një nga alternativat kryesore të Sasuolos. Raportohet se drejtori sportiv Françesko Palmieri është gati të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar shërbimet e shqiptarit.
Aktualisht, Asllani ndodhet me Interin në Gjermani, ku skuadra zikaltër po zhvillon fazën përgatitore. Megjithatë, konkurrenca e fortë në mesfushën e kampionëve të Italisë e bën të vështirë që ai të ketë hapësirat e dëshiruara gjatë sezonit të ri.
Përveç Sasuolos, interes për mesfushorin kanë shfaqur edhe Kaljari, disa klube nga Arabia Saudite dhe Turqia. Nëse transferimi te Sasuolo realizohet, Asllani do të ribashkohej në skuadër me portierin e Kosovës, Arijanet Muriç.
Historiku i transferimeve të Kristjan Asllanit
U transferua nga Empoli tek Interi në verën e vitit 2023 për një shumë rreth 14-15.7 milionë euro.
Në verën e vitit 2025 kaloi në huazim te Torino, me një tarifë prej 1.5 milionë eurosh dhe të drejtë blerjeje për 12 milionë euro.
Huazimi te Torino u ndërpre dhe në janar 2026 u transferua në formë huazimi te Beshiktashi në Turqi, ku pati një fillim të vështirë.
Asllani mbetet në pronësi të Interit, me kontratë deri në vitin 2028, ndërsa vlera e tij në treg vlerësohet rreth 12-13 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhe, emri i tij është lidhur edhe me Parmën, Fiorentinën, Paris FC, Mançester Junajtid dhe Totenhemin.