Politike
PROTESTA/ RAMA SHTYN LEVIZJET PER NE VJESHTE
Edi Rama shpalli të ashtuquajturin reflektim pas dy muajsh protestash, në një fjalim që zgjati 1 orë e 22 minuta. Megjithatë, ai nuk përcaktoi kufijtë e qëndrimit të tij në pushtet dhe nuk ndërmori ndryshime në qeveri që shumë prisnin të ndodhnin dje.
Kryeministri duket se ka lënë të hapur mundësinë për një riformatim të thellë të qeverisjes në një fazë të dytë. Si argument ai paraqiti dy dokumente që u dorëzoi deputetëve të Partisë Socialiste.
I pari, “Besa”, si kontrata e tij politike me qytetarët për vazhdimin e mandatit të katërt.
I dyti, një aneks që përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta zbatojë këtë platformë.
Ky “reflektim” i ngjan më shumë një strategjie pritjeje, për të parë reagimin e opinionit publik, të protestës dhe, mbi të gjitha, të faktorëve që organizuan dhe mbështetën protestën e nisur me kauzën e Zvërnecit.
Në planin politik, mesazhi ishte i qartë. Ai u drejtohej atyre që kërkojnë largimin e tij. Mesazhi i parë ishte se çdo ndryshim nuk fillon me largimin e Ramës, por me negociata me Ramën. Të paktën, kjo është oferta që ai paraqiti.
Mesazhi i dytë ishte se largimi i tij, nëse do të ndodhë, nuk mund të jetë rezultat i presionit politik apo protestës, por vetëm i një procesi negociues, me kushte dhe garanci.
Gjithçka lë të kuptohet se lëvizjet e mëdha nuk janë braktisur, por janë shtyrë. Është e mundur që në shtator, duke përdorur si bazë “Besën” dhe aneksin organizativ, Rama të ndërmarrë një riformatim të plotë të qeverisë dhe të drejtuesve të institucioneve kryesore.
Kjo zgjedhje i jep atij më shumë hapësirë manovrimi. Nëse do t’i kishte bërë ndryshimet tani, ai do të kishte konsumuar kartat kryesore politike përpara se protesta të hynte në fazën e saj të dytë. Duke i shtyrë për vjeshtë, ai ruan mundësinë për të reaguar ndaj zhvillimeve të reja dhe për të mos e vendosur veten në një pozitë ku çdo lëvizje e ardhshme do të ishte e kufizuar.