Kosova
Hiqet mbishkrimi “Free Ukraine” pas deklaratës së Zelenskyt për Kosovën
Deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës është pasuar nga një veprim simbolik në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje nga heqja e mbishkrimit “Free Ukraine” nga një hapësirë publike në kryeqytet.
Në reagimin e tij, Rama ka lidhur vendimin me qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës, duke theksuar se solidariteti i qytetarëve të Kosovës me popujt që përballen me luftë dhe dhunë mbetet i pandryshuar.
Megjithatë, ai ka deklaruar se ky solidaritet, sipas tij, nuk mund të jetë i shkëputur nga respekti ndaj shtetësisë së Kosovës.
“shteti i kosovës duhet të respektohet. kur kosova nuk respektohet, kryeqyteti prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, shkroi Rama.
Heqja e mbishkrimit vjen në një moment kur deklaratat e presidentit ukrainas në Beograd kanë rikthyer në vëmendje qëndrimin e Kievit për statusin e Kosovës.