Politike
Spiropali mbron Ballukun: Është viktimë e modelit të pushtetit
Një ditë pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur për përqendrimin e pushtetit dhe përgjegjësinë politike brenda mazhorancës. Ajo e ka cilësuar Belinda Ballukun viktimë të këtij modeli qeverisës, duke theksuar se problemi nuk lidhet me individë të veçantë, por me një sistem që, sipas saj, ka krijuar mundësinë e ushtrimit të pushtetit pa kufij.
Duke iu referuar përballjes së emrave të saj, Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt në debatin publik, Spiropali tha se nuk duhet të zhvendoset vëmendja nga modeli që qëndron pas këtyre zhvillimeve.
Sipas saj, pushteti absolut çon në korruptim kur mungojnë kufizimet ligjore dhe institucionale. Ajo përdori edhe një metaforë për të shpjeguar qëndrimin e saj, duke thënë se problemi nuk qëndron te individët, por te e gjithë “bahçja” që, sipas saj, është kontaminuar.
Spiropali kërkoi gjithashtu marrjen e përgjegjësive politike, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si është ushtruar pushteti dhe për rolin e Partisë Socialiste në vendimmarrje. Ajo pretendoi se socialistët janë përjashtuar nga ndarja e pushtetit, ndërsa partia po përballet me pasojat e vendimeve në të cilat, sipas saj, nuk ka qenë e përfshirë.
Në fund, ish-ministrja kërkoi çrrënjosjen e këtij modeli qeverisës dhe një ndryshim të mënyrës së funksionimit të pushtetit, duke paralajmëruar se Partia Socialiste nuk duhet të humbasë trashëgiminë e saj politike.