Kronike
Bie maskimi/ Policia gjen motorin e përdorur në vjedhjen e argjendarisë në Paskuqan
Pesë ditë pas grabitjes së një argjendarie në Paskuqan Policia e Tiranës dhe Komisariati nr 5 vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas kërkimeve të shumta, blutë kanë arritur të gjejnë motorin e dyshuar që kanë përdorur autorët në grabitje.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se dy autorët ndoqën të njëjtin itinerar si për të shkuar te argjendari “Luani”, ashtu edhe për tu larguar.
Ata lëvizën me një motor pa targa dhe përdorën rrugicat periferike të Kamzës, duke shmangur rrugët kryesore.
Ata hynë të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov dhe grabitën vetëm sende floriri të cilat shkojnë mbi 1.5 milionë lekë.
Dyshohet se njëri prej autorëve të ketë shkuar si klient ditë më parë, pasi kishin dijeni të plotë ku ndodheshin bizhuteritë me vlerë të konsiderueshme.
Mjeti pritet të jetë një provë e rëndësishme për hetuesit, të cilët po punojnë për të zbuluar gjurmë dhe të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që në ngjarje të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë, të cilët mund të kenë ndihmuar në planifikimin, vëzhgimin apo largimin e grabitësve.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me mundësinë që njëri prej autorëve të ketë siguruar paraprakisht informacion për ambientet e argjendarisë.