Connect with us

Aktualitet

Zjarri rikthehet në Krujë, flakët pranë depove me lëndë plasëse

Një tjetër vatër zjarri është regjistruar në zonën e Krastës së Krujës, në pjesën veriore të saj, duke rikthyer problematikën e zjarreve në këtë zonë.

Sipas raportimeve nga terreni, flakët po përhapen të favorizuara nga era e fortë. Banorë të zonës kanë ngritur dyshime se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, por shkaku mbetet ende për t’u përcaktuar nga autoritetet.

Rreziku shtohet për shkak të pranisë së depove me lëndë plasëse, të përdorura për furnizimin e guroreve. Për të parandaluar afrimin e flakëve pranë tyre, forcat zjarrfikëse të Krujës kanë krijuar një perimetër sigurie.

Në përpjekjet për kontrollin e situatës është rikthyer edhe helikopteri i Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë punën për izolimin e vatrave.

Ndërkohë, një situatë problematike raportohet edhe në lagjen Abazaj, ku banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse. Sipas dëshmive të tyre, kërkesat për ndihmë nuk janë adresuar menjëherë.

Forcat në terren vijojnë operacionin për vënien nën kontroll të zjarreve, ndërsa era e fortë dhe afërsia me zonat ku ndodhen depo me materiale të rrezikshme mbeten faktorë që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm.

Advertisement