✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Reforma territoriale nuk mbaron me hartën, PS kërkon 9 muaj për fazën e dytë

Partia Socialiste kërkon ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, pas miratimit të ndarjes së re të vendit nga 61 në 46 bashki. Sipas kërkesës së grupit parlamentar të PS-së, komisioni do të ketë si detyrë përgatitjen e ndryshimeve ligjore që do të përcaktojnë funksionimin, kompetencat dhe financimin e bashkive të reja.

Faza e dytë e reformës parashikohet të përqendrohet në tri drejtime kryesore: rishikimin e funksioneve dhe shërbimeve vendore, forcimin e financave të vetëqeverisjes vendore dhe krijimin e një niveli rajonal funksional. Për realizimin e këtyre objektivave, komisioni do të shqyrtojë ndryshimet e nevojshme në ligjin për vetëqeverisjen vendore, atë për financat vendore dhe ligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit theksohet se ndryshimet ligjore duhet të përfundojnë përpara nisjes së funksionimit të bashkive të reja, pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Komisioni do të shqyrtojë gjithashtu mundësitë për thellimin e decentralizimit administrativ dhe fiskal, rishikimin e formulës së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.

Një nga çështjet kryesore do të jetë përcaktimi i kompetencave dhe shërbimeve që duhet të ofrojë çdo bashki, së bashku me burimet financiare për përmbushjen e tyre. Dokumenti parashikon gjithashtu rishikimin e organizimit të brendshëm të bashkive, përfshirë marrëdhëniet mes bashkisë, qytetit dhe njësive administrative.

Sa i përket financimit, komisioni do të analizojë formulën e re të transfertës së pakushtëzuar, duke marrë në konsideratë të dhënat e Censit të vitit 2023. Synimi i deklaruar është forcimi i qëndrueshmërisë financiare të njësive vendore dhe lidhja më e qartë mes kompetencave që u jepen bashkive dhe fondeve që ato marrin.

Në dokument propozohet që komisioni të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare. Kryetari do të jetë përfaqësues i shumicës parlamentare, ndërsa posti i zëvendëskryetarit do t’i takojë pakicës. Mandati parashikohet të jetë nëntë muaj nga miratimi i vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi.

Për përgatitjen e propozimeve parashikohet ngritja e një grupi ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe funksionimi i një sekretariati teknik. Komisioni do të zhvillojë konsultime me qeverinë, kryetarët e bashkive, shoqatat e njësive të vetëqeverisjes vendore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, do të bashkërendojë punën me Komisionin e Posaçëm për

Reformën Zgjedhore për çështjet që lidhen me përfaqësimin.

Kërkesa e socialistëve parashikon edhe ndjekjen e zbatimit të ndarjes së re territoriale dhe të masave kalimtare për organizimin e bashkive të reja deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Në argumentimin e nismës, PS thekson se ndryshimi i hartës territoriale është vetëm faza e parë e reformës dhe se bashkive duhet t’u jepen më shumë kompetenca vetëm në përputhje me kapacitetet e tyre administrative dhe financiare.

“Bashki më të forta sot do të thotë më shumë kompetenca dhe më shumë financim nesër”, thuhet në dokumentin e paraqitur nga grupi parlamentar socialist.

Ngritja e komisionit mbetet një propozim që duhet të shqyrtohet dhe miratohet nga Kuvendi. Nëse miratohet, puna e tij do të përcaktojë kuadrin e ri ligjor dhe financiar që do të shoqërojë funksionimin e 46 bashkive pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Advertisement