Politike
Kush e do në burg Metën/ Xhixho: Të vërtetat e tij nuk i pëlqejnë Ramës, çështjen do ta çojmë në Strasburg
E pyetur se përse ish presidenti Ilir Meta vazhdon ende në izolim ekstrem, teksa kanë mbaruar seancat paraprake, ka mbaruar hetimi dhe tashmë jemi në fazë gjykimi, Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi: Ajo çfarë ka kërkuar zoti Meta në këtë moment është transmetimi live i gjykimit. Si një shtetar i cili ka drejtuar vendin, si kryeministër, si kryetar Kuvendi e të tjerë me radhë, ka obligimin e tij qytetar që të ketë një llogaridhënie të plotë ndaj një akuze totalisht politike, ndaj një dosjeje totalisht politike, pa fakte, pa prova.
Më thoni një letër, më thoni një dokument që kryeministri Ilir Meta, kryetari i Kuvendit apo ministër ka firmosur dhe i ka sjellë dëm buxhetit të shtetit. Nuk ka asnjë të tillë. Në këtë situatë, kur nuk ka as fakte, as prova, nuk lejohet transmetimi live dhe mbahet në një kafaz të qelqtë në mënyrë të padrejtë. Është një cenim i të drejtave të njeriut.
Tashmë po përgatitet dosja për të shkuar në Strasburg, me avokatë dhe profesionistë shumë të mirë, që do të gjejnë të drejtën jo thjesht të zotit Meta, por të çdo qytetari që i cenohet e drejta.
Mos harrojmë çështjen e detit, çështjen e kufijve të Kosovës, aferën e inceneratorëve, kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe, mbi të gjitha, faktin që, kur ka qenë president, ka denoncuar i pari kapjen e reformës në drejtësi nga ana e Edi Ramës.
Pavarësisht kësaj, zoti Meta është shumë besimplotë dhe vazhdon gjykimi në themel. Dy kërkesat e tij të drejta, për të pasur një gjykim të hapur dhe për të mos qëndruar në kafaz, u hodhën poshtë, por beteja do të vazhdojë në Strasburg.
Urdhri për arrestimin kriminal nuk është thjesht për turpin e këtij shteti, por për turpin e gjithë Shqipërisë, që ish-presidenti, ish-kryetari i Kuvendit tërhiqet zvarrë dhe rrëmbehet në mënyrë kriminale, kur ishte përgjigjur gjithë kohës drejtësisë.
Goditja ndaj zotit Meta dhe Partisë së Lirisë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, pa dyshim ishte një goditje për opozitën, ishte një konfirmim për mandatin e tij të katërt. Por beteja jonë do të vazhdojë dhe zoti Meta është i qartë se kush e do në burg, sepse të vërtetat e tij nuk i pëlqejnë shumë qeveritarëve dhe Edi Ramës, që dha urdhrin e rrëmbimit të tij dhe të dosjes së tij politike. Por absolutisht që e vërteta do të dalë.