Kronike
65-vjeçari përplaset nga autobus, dërgohet me helikopter drejt Traumës
Një 65-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasditen e kësaj të marte, pasi është përplasur nga një autobus në aksin nacional Delvinë-Sarandë.
I plagosuri, Agim Vocka, banor i fshatit Bajkaj, u transportua fillimisht në Spitalin e Sarandës, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u vendos që të dërgohej me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Aksidenti ndodhi në kthesën që të çon drejt fshatit Bajkaj, pranë një pike karburanti. Sipas të dhënave paraprake, autobusi i linjës Delvinë-Sarandë, me drejtues Vangjel Zoton, ka përplasur 65-vjeçarin, i cili po lëvizte në këmbë.
Pas aksidentit, drejtuesi i autobusit është larguar nga vendngjarja, por u kap më vonë nga shërbimet e Policisë së Delvinës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Nga testi i alkoolit rezultoi se drejtuesi i autobusit nuk kishte konsumuar alkool, pasi aparati shënoi 0.00 mg/l.
Ndërkohë, gjendja e 65-vjeçarit paraqitet e rëndë. Sipas mjekëve të Spitalit të Sarandës, ai ka pësuar traumë të rëndë në kokë, frakturë dhe hemorragji trunore dhe ndodhet në gjendje kome cerebrale.
Për shkak të gjendjes së rënduar, u vendos transportimi i tij drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Helikopteri u ul në pistën e Portit të Sarandës, ndërsa i plagosuri u transportua me ambulancë për t’u nisur më pas drejt kryeqytetit.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të aksidentit.